Vlora Çitaku: Neveritëse deri në palcë gjuha e Batatinës ndaj gazetares Qëndresa Krelani

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, i ka dhënë përkrahje gazetares së sportit Qëndresa Krelani, duke e quajtur neveritëse deri në palcë gjuhën seksiste dhe fyese që trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e përdori ndaj saj në një debat televiziv.   

Gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës Krelani, e cila është gazetarja e parë që e ka komentuar një ndeshje futbolli në historinë e sportit shqiptar, u abuzua nga një gjuhë degraduese dhe seksiste e trajnerit dhe drejtorit të klubit të Superligës të dielën në mbrëmje, raporton Gazeta Express.

“Në gazetari ti mund të palosesh gazeta ose të pastrosh, por jo ta analizosh futbollin në këtë mënyrë… po të isha menaxher i juaji do të të lija të palosesh vetëm gazeta… Niveli juaj nuk është i nivelit të një gazetareje, së pari, duke filluar nga dukja”, i kishte thënë Batatina Krelanit.Reklamë

Ndër kritikuesit e shumtë të Batatinës ishte edhe Çitaku, një tifoze e zjarrtë e Barcelonës dhe Kombëtares së Kosovës.

Çitaku shkroi në një reagim në rrjetet sociale: “Neveritëse deri në palcë gjuha e trajnerit Tahir Batatina ndaj gazetares Qëndresa Krelani”.

Ish-ambasadorja i bëri thirrje Batatinës t’i shikojë punët e veta.

“Se ku e kemi vendin e me çka merremi vendosim ne vet Tahir. Shpresoj që FFK të marrë masa. Kjo lloj mendësie duhet të ndëshkohet. Qëndresa kur po e kqyrim naj lojë bashkë?”, shtoi ajo.

Të ngjashme