Vojvoda kujton Vokrrin: Gjithmonë në zemrat tona

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 11:45 | Nga Ekonomia Online

Mbrojtësi anësor i Kosovës, Mërgim Vojvoda, e ka kujtuar legjendën e futbollit dhe ish-presidentin e ndjerë të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, në dyvjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se ai do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Vojvoda kujton Vokrrin: Gjithmonë në zemrat tona

Në dyvjetorin e vdekjes së tij janë bërë homazhe te varri i tij, ndërsa në mesin e figurave të shumta nga bota e sportit që e kanë kujtuar Vokrrin në këtë ditë është edhe mbrojtësi anësor, Mërgim Vojvoda, i cili postoi në llogarinë e tij në Instagram.

Vokrri e filloi karrierën e tij si futbollist me Llapin, mirëpo debutimin si futbollist profesionist e bëri me Prishtinën në vitin 1980. Karriera e tij 15-vjeçare e dërgoi atë në Partizan, Nimes, Fenerbahce, Bourges 18. Në fund të karrierës së tij, në vitin 1995, ai u pensionua në klubin Montlucon.

Pas karrierës së tij mbresëlënëse si futbollist, Vokrri e mori përgjegjësinë e pozitës së presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës më 16 shkurt 2008, dhe këtë pozitë e mbajti deri në vdekjen e tij.

Vokrri e shtroi rrugën për suksesin e treguar në Ligën e Kombeve, ku Kosova u promovua nga Liga D në Ligën C dhe e siguroi një vend në play-offs për kualifikime në Kampionatin Evropian. Falë punës së tij në FFK, Kosova u anëtarësua në UEFA dhe në FIFA në maj të vitit 2016. 

Të ngjashme