Vokrri: Ndeshja Kosovë-Kroaci, ngjarje e paharruar

Prishtinë | 21 Sht 2016 | 17:19 | Nga

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka pritur në takim drejtuesit e FFK-së, të kryesuar nga Fadil Vokrri si dhe drejtuesit e tifozëve të Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”.

Në takim u diskutua rreth përgatitjeve për organizimin e ndeshjes në futboll, që do të zhvillojë Kosova kundër Kroacisë, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Rusia 2018.

Ministri Shala inkurajoi FFK-në dhe grupin e tifozëve “Dardanët” për një organizim sa më të mirë të kësaj ngjarjeje në futboll, pasi që është ndeshja e parë historike që Kosova e luan si nikoqir në një garë zyrtare siç janë kualifikimet për botëror.

Shala u shpreh se ministria do të përkrah në format që është e nevojshme këtë ngjarje të shumëpritur. Siç është mbështetur në të kaluarën në vazhdimësi, FFK-ja dhe Kombëtarja e Kosovës në futboll, kjo gjë nuk do të mungojë as në të ardhmen, tha ministri.

Ndërsa, kryetari i FFK-së Vokrri tha se presin që organizimi i ndeshjes kundër Kroacisë do të jetë në nivelin më të lartë të mundshëm dhe do të jetë një ngjarje e paharruar për futbolldashësit dhe tërë qytetarët e Kosovës.

“Do të dëshmojmë se dimë të organizojmë dhe se e kemi merituar pjesëmarrjen dhe garimin në arenën ndërkombëtare të futbollit”.

Ndërkaq, përfaqësuesit e tifozëve të Kombëtares së Kosovës “Dardanët” e informuan ministrin Shala me përgatitjet që janë duke bërë për ndeshjen kundër Kroacisë, dhe premtuan se do të krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme dhe do të shfaqin përkrahjen e pakursyer për Kombëtaren e Kosovës në futboll.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme