Von Cramon: Shpresoj se qeveria e re do të jetë në gjendje të punojë për një Kosovë më të mirë

Prishtinë | 03 Qer 2020 | 20:17 | Nga Ekonomia Online

Raportuesja e Kosovës për Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka uruar Avdullah Hotin për zgjedhjen e tij në krye të qeverisë, duke e porositur se ka shumë punë për të bërë në të ardhmen.

“Do të dëshiroja një punë të suksesshme për Avdullah Hoti dhe qeverinë e tij në Prishtinë. Qeveria ka shumë për të bërë, këto janë kohë thelbësore si për çështjet e brendshme ashtu edhe ato ndërkombëtare, shpresoj se qeveria e re do të jetë në gjendje të ekzekutojë reforma dhe të punojë për një Kosovë më të mirë”.

Von Cramon deklaroi se është bërë presion ndaj deputetëve për formimin e Qeverisë së Re.

“Ne nuk mund të bëhen me sy të verbër në rrethanat e zgjedhjes së Hotit, pasi anëtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike në Parlamentin e Kosovës ishin nën presion jashtëzakonisht të madh nga udhëheqja e LDK-së dhe nga presidenti Thaçi”.

“Burime të ndryshme pohuan se presidenti vizitoi personalisht deputetët e Kuvendit, vota e të cilëve për qeverinë e re nuk u sigurua. Nëse këto pretendime janë të vërteta, është një sinjal shumë i keq dhe tregon që roli i Parlamentit, i cili garantohet me Kushtetutë, është minuar. Si parlamentare, unë e gjykoj të papranueshme të bëhet presion ndaj anëtarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike të Kuvendit. Ajo është baza e demokracive tona që deputetët mund të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë dhe ndërgjegjes më të mirë”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Të ngjashme