Vrioni tregon pse e zgjodhi Shqipërinë

Prishtinë | 09 Tet 2018 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i Venezias i cili është në pronësi të Sampdorias, Giacomo Vrioni ishte risija e madhe e listës së Christian Panuccit për miqësoren ndaj Jordanisë dhe sfidën ndaj Izraelit në udhëtim për Ligën e Kombeve.

Vrioni i cili ka luajtur edhe më përfaqësueset e moshave të Italisë pas vetëm një ndeshje me Shpresat kuqezi në të cilën realizoi pikërisht ndaj Italisë U-21 është thirrur në kombëtaren e madhe, një ftesë kjo që as vetë 19-vjeçari nuk e priste.

“Ftesa më erdhi papritur, pasi kam zhvilluar vetëm një ndeshje me U-21. Nuk e besoja, por jam i lumtur. Kam luajtur me grup-moshat e Italisë më parë, por nuk më thirrën më. Më pas fola me prindërit dhe zgjodha fanellën kuqezi”.

Vrioni shpreson të ketë sa më shumë minuta në këto dy ndeshje edhe pse ai e di shumë mirë që zgjedhjet i takojnë trajnerit.

“A do të luaj? Zgjedhjet i takojnë trajnerit, ndërsa unë do të mundohem të jap më të mirën në fushë, nëse më jepet mundësia. Qëllimi im është të luaj sa më shumë dhe të shënoj. Megjithatë, objektivi na kërkon që të jemi të gjithë bashkë, për të arritur sërish në kampionatin Europian”.

Si një sulmues i talentuar edhe Vrioni e ka një lojtar të preferuar te kuqezinjtë dhe ai është.

“Sulmuesi im i preferuar është Sadiku, ndërsa me dëmtimin e tij, nga kombëtarja aktuale më pëlqen Balaj. Si tifoz e shoh kombëtaren shumë mirë. Me Izraelin ishte një ndeshje e bukur, ndërsa Skocia është një skuadër e fortë. Pastaj, atje ishte edhe ndeshje në transfertë”.

Në fund ai zbuloi se ëndërron që një ditë të luajë për Interin pasi zikaltrit janë skuadra që ai bën tifozllik./SS/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme