Vushtrria fiton ndeshjen e dytë finale, titulli i kampionit vendoset në Istog

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 21:06 | Nga Ekonomia Online

Ndeshja dramatike ka nxjerrë Vushtrrinë fituese, të martën në palestrën “Jeton Tërstena – Tota”. Vushtrria e Istogu kanë luajtur një ndeshje të fortë e interesante, ndërsa në fund kanë festuar vendaset që fituan me një gol dallim, 24-23.

Lorena Matarova shënoi penallti në fund për t’ia siguruar Vushtrrisë fitoren në ndeshjen e dytë të finales së ‘play-offit’. Istogu e kishte fituar ndeshjen e parë dhe tani rezultati është 1:1. Titulli do të vendoset në ndeshjen e tretë që luhet në Istog në fundjavë.

Për Istogun ishte humbja e parë pas 25 fitoreve rresht në kampionat. Istogaset kishin fituar të gjitha sfidat me Vushtrrinë, por lojtaret e Arben Parduzit u mobilizuan maksimalisht për ndeshjen e së martës.

Në përgjithësi u zhvillua lojë e fortë dhe shumë e luftuar, por lojtaret sërish kanë treguar korrektësi që i ka karakterizuar këtë kampionat.

Ndeshjen më mirë e nisën lojtaret e trajnerit Faruk Shala. Istogu ishte vazhdimisht në epërsi, ndërsa vendaset vetëm barazonin. 11:10 ishte epërsia e parë e Vushtrrisë, ndërsa pjesa e parë përfundoi 15:14 për Istogun. Në pjesën e dytë mbrojtjet ishin dukshëm më të forta dhe prapë luhej për secilin gol. Rezultati ishte i barabartë deri në fund, para se Matarova të vendoste sfidën.

Burneta Rama me 6 dhe Matarova e Donita Kasumi me nga 5 gola ishin më efikaset te Vushtrria. Me disa pritje fitoren e ndihmoi edhe portierja Njomza Kelmendi, ndërsa të gjitha lojtaret, të udhëhequra nga Shqipe Tahiri, ishin pa kompromis.

Esma Muratoviq shënoi 8 gola për Istogun, kurse 5 i kishte Natalia Milatoviq. Pranvera Ferataj, Tina Hetemi e Suzana Ujkiq kishin nga 3 gola, ndërsa pritje të rëndësishme bëri Aurora Shehdadi.

Edhe ndeshja e tretë dhe vendimtare për titull pritet të jetë e fortë dhe dramatike.

Të ngjashme