WBO mund t’i heq boksierët rusë nga renditja botërore pas sulmit ndaj Ukrainës

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Organizata Botërore e Boksit (WBO) po planifikon t’i heq boksierët rusë nga renditja e saj, derisa vendi i tyre po vazhdon të goditet nga sanksionet pas sulmit ushtarak ndaj Ukrainës.

Tashmë është konfirmuar heqja e të drejtës së organizimit të finales së Ligës së Kampionëve në St Petersburg.

Ajo do të luhet në Paris të Francës, shkruan “Gazeta Express”.

Ndërkohë, UEFA ka vendosur edhe që klubet dhe Kombëtaret e Rusisë dhe të Ukrainës të luajnë si vendës në terren neutral deri në një vendim të ri.

Gjithashtu, Polonia dhe Suedia njoftuan se do ta bojkotojnë përballjen me Rusinë në play-off të Botërorit 2022, një vendim i cili u mbështet edhe nga kapiteni i polakëve, Robert Lewandowski.

Ndër të tjera, Formula 1 vendosi ta anulojë për sivjet garën për shpërblimin e madh të Sochit, e planifikuar të mbahet në muajin shtator.

Edhe Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) i shtyu ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2023 ndërmjet Holandës me Rusinë dhe Britanisë së Madhe me Bjellorusinë.

E tash, presidenti i WBO-së, Francisco ‘Paco’ Valcarel ka paralajëruar seriozisht se ky autoritet mund të intervenojë po ashtu, shkruan “Daily Star”.

“WBO po konsideron mundësinë që të mos e lejojë organizimin e titujve botërore dhe të atyrë rajonalë në Rusi dhe që të mos i përfshijë boksierët rusë në renditjen e saj derisa të zgjasë lufta në Ukrainë”, ka thënë ai.

Pra, Rusia po bëhet “persona non grata” në krejt sportet pas agresionit që po e shfaq ky shtet ndaj Ukrainës.

Të ngjashme