Werderi, shtëpi e Rashicës dhe dorë e zgjatur e Kosovës

Prishtinë | 13 Tet 2019 | 11:24 | Nga Ekonomia Online

Te Werderi po bën karrierë një prej lojtarëve më të mirë të Kosovës, Milot Rashica. Rashica po e udhëheq Werder Bremenin në Bundesligën e Gjermanisë në futboll, ndërsa vetë po ngrihet në nivel gjithnjë e më të lartë. Te klubi gjerman po kompletohet si lojtar, ndërsa Werderi po e ndihmon atë të ndërtojë tutje karrierën e tij.

Werderi ka kontribuar edhe në “ndërtimin” e përfaqësueses së Kosovës, jo vetëm të Rashicës. Në një periudhë të rëndësishme për futbollin kosovar, Werderi u pajtua të luajë ndeshje miqësore me Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.

Miqësoret me klube, që nga shumë kanë mbetur në harresë, vlerësohen me peshë të madhe në procesin e krijimit të përfaqësueses së Kosovës në futboll. Werderi është prej klubeve më të mëdha evropiane me të cilat është përballur Kosova.

Ishte 27 marsi i vitit 2015 kur Kosova luajti miqësore me Werderin në Gjermani. Werderi fitoi 2:0 me golat e Levent Aycicek e Fin Bartels. Werderi nuk kishte luajtur me përbërjen më të fortë, pasi ishte periudhë e rezervuar për ndeshje të përfaqësueseve dhe reprezentuesit e këtij klubi ishin në përfaqësueset e tyre.

Kosova në fakt kishte zhvilluar dy miqësore gjatë atij grumbullimi në Gjermani. Fillimisht më 24 mars kishte barazuar pa gola me Eintracht Frankfurtin e më pas kishte pësuar nga Werderi. Miqësoret me dy klubet gjermane, FFK-ja i kishte cilësuar si miqësore luksi, për shkak të nivelit të Bundesligës.

Kosova atëbotë kishte lejen e FIFA-s për ndeshje miqësore, por nuk gjeti kundërshtarë në mesin e përfaqësueseve. Kishte disa arsye që përfaqësueset e tjera refuzonin të luanin miqësore me Kosovën, ndër të tjera për faktin që nuk fitonin pikë në ranglistën e FIFA-s. Dhe në pamundësi për të gjetur kundërshtarë te përfaqësueset, Kosova në marsin e vitit 2015 i luajti dy miqësore në Gjermani, ndaj klubeve. Ishin ndeshjet e para të Kosovës në vitin 2015.

Rashica luajti kundër skuadrës së tij të tashme qysh më 2015

Pasi FIFA dha leje për miqësore, Kosova në vitin 2014 u përball me Haitin, Turqinë, Senegalin, Omanin dhe në tetor të atij viti me Wilin e kategorisë së dytë zvicerane. Tashmë kishin nisur të paraqiteshin telashet për të gjetur kundërshtarë, që u thelluan në vitin vijues.

Të ngjashme