West Bromi e ndal me barazim Manchester Unitedin

Prishtinë | 14 Shk 2021 | 17:07 | Nga Ekonomia Online

Manchester Unitedi është ndalur me një barazim 1:1 nga West Bromi, duke e vazhduar formën e dobët që prej se e humbi pozitën e parë në renditjen e Premierligës ndaj rivalit Manchester City.

Mbaye Diagne e kaloi West Bromin në epërsi në minutën e 2-të, kur kërceu më së larti në zonën e Unitedit dhe shënoi me kokë në shtyllën e parë.

Reagimi i Unitedit erdhi në çastet e fundit të pjesës së parë, kur Bruno Fernandes shënoi gol të mrekullueshëm me vollei.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer e fitoi një penallti pas pak më shumë se një orë lojë, por VAR-i vendosi se Semi Ajayi nuk kishte bërë faull ndaj Harry Maguire.

Derisa djajtë e kuq dominuan në kërkim të golit, vendasit kanë mundur ta fitonin këtë takim sikur mos të ishte për pritjen madhështore të David de Geas, i cili ia pamundësoi Diagnes të shënonte dy herë.

Ky ishte barazimi i tretë i Unitedit në pesë ndeshjet e fundit, prej të cilave një e ka humbur dhe një tjetër e ka fituar.

Pavarësisht barazimit, Unitedi ngel në pozitën e dytë me pikë të barabarta me Leicester City por tani shtatë pikë mbrapa liderit dhe rivalit City, i cili e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

West Bromi vazhdon të mbetet e parafundit në renditjen e Premierligës me vetëm 13 pikë, 12 më pak se zona e shpëtimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme