Wibmeri magjeps me çiklizmin e tij ekstrem

Prishtinë | 11 Shk 2020 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Kur e sheh Fabio Wibmerin në aksion me biçikletën e tij, atëherë do të ndërrosh tërësisht qasjen ndaj çiklizmit. Austriaku 24-vjeçar po magjeps njerëzit në gjithë botën – ku ka mbi gjashtë milionë përcjellës në rrjetet sociale – me çiklizmin e tij në rrugë dhe po ashtu nëpër male. 

“Njerëzit thoshin se jam totalisht i çmendur, e gjëra të tilla”, ka treguar Wibmer, që është një çiklist profesionist dhe po ashtu një regjisor i filmave dokumentarë, shkruan sot Koha Ditore.

Karriera e tij e ka dërguar nga stërvitjet obsesive çdo ditë pas shkolle e deri në rrugët e Parisit, Hamburgut, Teneriffes e Vancouverit, për të shfaqur çmenduritë e tij me biçikletë. I lindur në Oberspeischlach – një fshat në jug të Austrisë me vetëm 104 banorë – Wibmeri nisi të garonte me motokros në moshën gjashtëvjeçare dhe mori pjesë edhe në Kampionatin Botëror të motokrosit në Itali në vitin 2011. 

Por, pasi pa një video të manovrave të Danny MacAskillkit, austriaku u josh nga çiklizmi. “Që nga ajo ditë, unë kam rënë në dashuri me sportin”, ka thënë Wibmeri. 

Ai ishte një nga 15 çiklistët e rinj të zgjedhur nga MacAskill për të ndjekur punëtorinë e tij “Licencë për të Provuar” dhe Wibmeri më pas iu bashkua turneut të skocezit “Drop and Roll”. Austriaku është bërë një nga fytyrat më të njohura në skenën e çiklizmit dhe videot e tij të manovrave me biçikletë në “YouTube” janë shikuar mbi 500 milionë herë.  Por, Wibmeri thotë se ende e mban në mend momentin kur kishte arritur në njëmijë shikime. “Ishte çmenduri në atë kohë”, ka treguar austriaku. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme