Wilder thotë se e rehabilitoi Furyn

Prishtinë | 20 Shk 2020 | 08:22 | Nga Ekonomia Online

Kampioni i botës në peshën e rëndë në boks Deontay Wilder ka thënë se ka rehabilituar britanikun Tyson Fury.

Dy boksierët do të përballen në MGM Grand të Las Vegasit dhe e kanë shtyrë njëri-tjetrin gjatë konferencës për media të mërkurën mbrëma, duke detyruar taborët e të dyve të futeshin në skenë.

Ka pasur luftë verbale mes dy boksierëve në konferencën e fundit për media para përballjes për titullin e botës në versionin WBC në peshën e rëndë. Kjo do të jetë përballja e dytë e tyre. Meçi i parë në dhjetorin e vitit 2018 përfundoi baras.

“Unë të kam rikthyer, të kam sjellë ushqim në tavolinë. Dhe po e bëjë këtë për herë të dytë. Mos e harroni këtë. Unë të gjeta kur ishe i zhytur në kokainë, i madh sa një shtëpi dhe po mendoje të bëje vetëvrasje. Të ktheva në skenën e madhe të boksit. Të rehabilitova”, ka thënë Wilder.

Fury për herë të parë u përballë me Wilderin në dhjetor të vitit 2018, gjashtë muaj pasi u kthye në sport. Ai kishte pauzuar 30 muaj gjatë të cilës periudhë kishte përdorur drogë dhe alkool, si dhe kishte shtuar shumë peshë e po luftonte me shëndetin mental.

Interesimi për përballjen e dytë është dukshëm më i madh.

“Ai po flet gjepura, duke thënë se më ka dhënë një mundësi. Unë i sigurova atij pagesën më të madhe të jetës, e solla në Las Vegas dhe ja mënyrën se si më falënderon ai. Ai ka shumë vlerësim për dikë që i ka sjellë miliona në llogarinë e tij”, ka thënë Fury. “Por, do të dërgojë në pension, mos u shqetëso. Ai është nervoz, mund të shoh zemrën e tij duke rrahur. Është i tmerruar dhe do të nokautohet”.

Përballja e dytë mes tyre po vlerësohet më e madhja në peshën e rëndë në 50 vitet e fundit.

Të ngjashme