Williams shpreson të ketë më tepër trofe e fëmijë

Prishtinë | 04 Sht 2018 | 12:38 | Nga

Serena Williams shpreson të ketë më tepër trofe dhe më tepër fëmijë në të ardhmen. Këtë e ka thënë vetë Serena, që është bërë nënë për herë të parë një vit më parë.

Një ditë pasi festoi ditëlindjen e vajzës së saj Alexis Olympia, Williams ka kremtuar edhe vetë të dielën, duke siguruar vend në çerekfinale të turneut Grand Slam të tenisit “US Open”, pas triumfit ndaj estonezes Kaia Kanepi me shifrat 6:0, 4:6 dhe 6:3, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Ajo është në rrugë të mbarë për të fituar Grand Slamin e 24-t në karrierë, që do të barazonte rekordin për Grand Slame të fituara në të gjitha epokat e tenisit, pavarësisht nëse bëhet fjalë për nivel amator apo profesionist.

Williams ka thënë se ka pritur që të kthehet në formën e saj më të mirë më herët, por ka mësuar shpejt se jeta e saj ka ndryshuar përgjithmonë dhe me të edhe mënyra se si duhet t’i qaset sportit.

“Unë thjesht po jetoja në këtë botë, ku po mendoja se thjesht do të ktheheshin gjërat automatikisht në vend”, ka thënë Williams, që është duke marrë pjesë në turneun e saj të shtatë që nga rikthimi nga pushimi i lehonisë. Ajo u kthye në mars në turneun Indian Wells.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme