Xavi zbulon kohën kur e kërkoi Real Madridi

Prishtinë | 05 Tet 2018 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Xavi Hernandez, ish-lojtar i Barcelonës dhe aktualisht në radhët e Al Sadd, ka dhënë një intervistë për programin e TV3, “Els meus pares”.

Në mënyrë të veçantë, “maestro” i mesfushës ka thënë se ende nuk është gati të stërvitë ekipe në elitë, por e vazhdon procesin e mësimit për t’u bërë trajner i ardhshëm: “Tani mund të stërvis në vende të vogla, por vitin e ardhshëm, në maj, shpresoj që të marr licensën “UEFA Pro”, për të trajnuar çdo ekip”.

Pyetjeve të gazetarit përballë, se kur mendon të bëhet trajner i ekipit të parë të Barçës, Xavi iu përgjigj: “Si lojtar kam qenë konstant, pothuajse gjatë gjithë kohës te Barcelona. Njerëzit presin nga unë të bëj gjëra para kohe. Më kujtojnë se edhe Guardiola ishte i ri, kur e mori përsipër drejtimin e Barcelonës. Por, situatat nuk janë gjithmonë të njëjta, unë shoh se kam për të mësuar akoma. Duhet të jemi të durueshëm” .

Xavi, i cili vazhdon të luajë me Al Sadd në Katar, shpjegon se largimi nga Barça ka sjellë disa lehtësira në jetën e tij personale: “Në atmosferën e një konkurrence si te Barcelona, me atë tension dhe presion, nuk kisha kohë as për ta qetësuar mendjen sadopak . Tani jam më i natyrshëm, kam më shumë kohë për çdo gjë. Për 16 vite jetë si futbollist profesionist kam qenë nën një tension shumë të madh”.

Përveç kësaj, Xavi zbuloi se, kur e filloi karrierën si futbollist te Barça, dy klube të tjera spanjolle, Espanyol dhe Real Madrid, ishin interesuar për të nënshkruar me të: “Kjo më bëri të ndihem krenar, përjetova një shtysë të rëndësishme për karrierën”.

Xavi, gjithashtu, shpjegon se në vitin 2014 kishte ndjenjën se “erdhi fundi”. Edhe më vonë, në Kupën e Botës, pati të njëjtën ndjenjë: “Doja të tërhiqesha atë vit, por nëna ime insistoi të vazhdoja te Barça. Dhe e vërteta është se ajo kishte të drejtë, sepse fituam titullin”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme