Xhaka dëshiron ta mbyllë karrierën te Baseli

Prishtinë | 10 Gus 2020 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Mesfushori i kombëtares së Shqipërisë, Taulant Xhaka, ka thënë se është i gatshëm ta nënshkruajë qysh tash kontratën deri në fund të karrierës me skuadrën e Baselit. Ai në një intervistë për gazetën zvicerane “Blick” ka thënë se dëshiron ta mbyllë karrierën te Baseli.

“Unë gjithmonë kam thënë se nëse presidenti do të ma jepte një kontratë deri në fund të karrierës sime, unë do ta nënshkruaja menjëherë. Qëllimi im është që ta përfundoj karrierën time te Baseli. Nuk dua të luaj për asnjë klub tjetër”, ka thënë Xhaka, që me Baselin ka kontratë deri në verën e vitit 2021.

Mesfushori 29-vjeçar ka theksuar se me Baselin synon ta fitojë edhe Ligën e Evropës.

Baseli në çerekfinale do të luajë të martën kundër skuadrës së Ukrainës, Shakhtar Donetsk. Xhaka shpreson ta kalojë edhe këtë raund garash me Baselin. Madje, këtë garë shpreson ta fitojë me Baselin. Baseli është për herë të tretë në çerekfinale të Ligës së Evropës.

“Është diçka e madhe. Ne mund të jemi krenar për veten tonë me këtë të arritur. Ne e kemi vërtetuar se mund të vazhdojmë të garojmë në nivel të lartë të garave ndërkombëtare. Ne pranuam vetëm katër gola dhe shënuam 20 në dhjetë ndeshje. Ekipi ka cilësi dhe në çdo rast mund ta fitojë Ligën e Evropës. Ne nuk kemi pse të kemi frikë nga asnjë kundërshtar. Nëse vazhdojmë të luajmë kështu, asnjë skuadër nuk do ta ketë të lehtë kundër nesh. Ne besojmë fort në ekip”, ka theksuar Xhaka.

Të ngjashme