“Xhaka duhet të mbyllë gojën e të punojë për të kthyer respektin e tifozëve të Arsenalit”

Prishtinë | 29 Tet 2019 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Mesfushorit të Arsenalit, Granit Xhaka, duhet menjëherë t’i merret shiriti i kapitenit, duhet të mbyllë gojën dhe të punojë shumë për të rikthyer respektin e klubit, ka thënë ish-lojtari i Arsenalit, Emmanuel Petit.

Xhaka po kritikohet ashpër nga shumë figura të njohura të “Topçinjve” për shkak të reagimit të ashpër ndaj tifozëve, kur ai po fishkëllehej në momentin e zëvendësimit në ndeshjen me Crystal Palacen të dielën. Xhaka shau tifozët dhe hoqi fanellën e klubit duke u larguar në drejtim të tunelit.

Pas këtij rasti, Petit, ish-yll i Arsenalit ka thënë se s’ka parë kurrë sjellje të tilla nga ndonjë lojtar i Arsenalit.

“Nuk kam parë kurrë diçka të tillë të ketë ndodhur më parë. Për mua, ai s’mund të jetë më kapiten i Arsenalit. Është e pamundshme. Ajo që ka bërë ai është e papranueshme. Ajo që ai bën në fushë është një gjë tjetër, e kam thënë qartë se nuk e di çfarë i shton ai ekipit. Por ajo që Xhaka bëri teksa largohej është tërësisht diçka tjetër. Ju s’mund të bëni diçka të tillë – është sikur tradhti në Angli”, ka thënë ai për “Paddy Power News”, transmeton Koha.net.

Tani Petit beson se Xhaka ka punë të madhe për të bërë që të kthejë besimin e fansave dhe lojtarëve, për të shpëtuar karrierën në Emirates.

“Nëse do të flisja me Xhakën do t’i thosha: ‘Ti e bën punën më të mirë në botë, dhe duhet të bësh sakrifica. Duhet të kuptosh që kur luan për një klub të madh si Arsenali, dhe je kapiten, duhet të jeni shembull brenda dhe jashtë fushës. Tani për tani, nuk je. Andaj ule kokën. Mos u përgjigj në asnjë pyetje që mund të jetë problem – thjesht mbylle gojën, puno dhe përpiqu të kthesh besimin e fansave dhe lojtarëve. Kjo është sfida më e vështirë që do të kesh që kur je bërë lojtar”, ka shtuar Petit.

Petit ka shtuar se Xhaka nuk e kupton se çka është të jesh tifoz i futbollit në Angli, teksa ka thënë po ashtu se më tifozët e Arsenalit vështirë se do ta falin Xhakën.

Të ngjashme