Xhaka e Shaqiri arsyetojnë festën me shqiponjë, premtojnë të mos e përsërisin

Prishtinë | 05 Sht 2018 | 09:01 | Nga

Shumë presion është bërë në Xherdan Shaqirin e Granit Xhakën pasi ata festuan duke formuar me dy duart figurën e shqiponjës, pas fitores së Zvicrës ndaj Serbisë në botërorin “Rusia 2018”.

Dhe dy yjet shqiptarë të futbollit, përkatësisht të përfaqësueses së Zvicrës, janë zmbrapsur paksa pas presionit të madh që është bërë në ta, sidomos nga mediat e mëdha zvicerane, shkruan sot Koha Ditore.

Të martën në një konferencë për shtyp, Shaqiri e Xhaka janë munduar të arsyetojnë mënyrën se si kanë festuar pasi kanë shënuar golat për fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë.

Shaqiri ka thënë se do të kërkonte falje nëse njerëzit në Zvicër janë fyer nga ajo mënyrë e festimit, ndërsa Xhaka ka thënë se do të ishte budalla nëse do të festonte njëjtë edhe në të ardhmen.

Asnjëri direkt nuk ka thënë se kërkon falje për mënyrën se si kanë festuar, ndonëse gazeta “Blick” që ka udhëhequr dhe udhëheq fushatën kundër tyre, ka përgjithësuar një deklaratë se falje kanë kërkuar kapiteni Stephen Lichtsteiner, Xhaka e Shaqiri. Në deklaratat e publikuara në faqen zyrtare të Federatës zvicerane, kërkimfalja direkte nuk është përfshirë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme