Xhaka i kritikon ashpër bashkëlojtarët pas humbjes nga Newcastle

Prishtinë | 17 Maj 2022 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Granit Xhaka është treguar mjaft kritik pas humbjes së Arsenalit nga Neëcastle United.

“Topçinjtë” u mposhtën me rezultat 0:2 dhe me këtë rast iu minimizuan mundësitë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër.

Kjo humbje vjen pas asaj nga Tottenhami, që nënkupton se “Gunners” nuk po iu ecin punët mirë në fazën vendimtare të sezonit, shkruan “Gazeta Express”.

Futbollisti kosovar thotë se ekipi i Mikel Artetas nuk meritoi më shumë pas paraqitjes së zbehtë ndaj Bardhezinjve.

“Është e vështirë t’i gjesh fjalët e duhura. Nga minuta e parë deri në atë të 90-të ne nuk e merituam të ishim në fushë. Nuk mund ta shpjegoj se përse. Ne nuk e bëmë lojën të cilën e kishim planifikuar, nuk e kemi dëgjuar trajnerin. Ajo që ndodhi ishte një performancë dizastër. Nuk e meritojmë të luajmë në Ligën e Kampionëve, madje as në Europa League. Është mjaft e vështirë që ta marrim veten në këtë moment. Nuk e di se përse nuk po e bëjmë atë që po na kërkon trajneri”, deklaroi Xhaka për “Sky Sports”.

“Kjo ishte njëra prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, që s’ka bërë të humbet. Po prisnim të ktheheshim në Champions pas gjashtë vjetësh. Gjithçka ishte në dorën tonë. Ne jemi mjaft të dëshpëruar dhe të zhgënjyer. I zhgënjyem edhe njerëzit që kanë ardhur për të na parë. Ju kërkoj falje tifozëve, nuk kam fjalë të tjera. Dhoma e zhveshjes është mjaft e qetë”, përfundoi futbollisti kosovar. 

Të ngjashme