Xhaka kërkon të takohet sy me sy me abuzuesit online

Prishtinë | 24 Shk 2021 | 14:33 | Nga Ekonomia Online

Granit Xhaka s’i vlerëson si përkrahës të mirëfilltë tifozët e Arsenalit të cilët e abuzuan atë dhe familjes e tij në internet, duke thënë se do të dëshironte t’i takonte ata sy me sy për t’i pyetur përse shkruajnë gjëra të tilla online.

Përfaqësuesi shqiptar i Zvicrës ka pasur një lidhje të luhatur me tifozët që prej se u zhvendos në Londren veriore në vitin 2016 dhe kupa u mbush vitin e kaluar kur ai u fishkëllye derisa po largohej nga fusha pasi ishte zëvendësuar nga ish-trajneri Unai Emery, transmeton Gazeta Express.

Xhaka reagoi keq ndaj fishkëllimave dhe i mllefosur i çoi ata në djall. Si pasojë, Emery ia hoqi shiritin e kapitenit dhe e gjithë kjo bëri që largimi i Xhakës të dukej i sigurt.

Ai u bind të qëndrojë nga trajneri Mikel Arteta, megjithatë, pasi spanjolli e zëvendësoi të shkarkuarin Emery vitin e kaluar dhe që prej atëherë Xhaka është bërë pjesë kyçe e planeve të Artetës në mesfushën e Arsenalit.

Por Xhaka vijon të jetë viktimë e abuzimit online dhe foli haptazi për këtë para takimit të Arsenalit me Benficën në Ligën e Evropës të enjten.

I pyetur për abuzimin online që i është bërë, Xhaka tha: “Nëse do t’ua tregoja të tjerëve se çfarë më shkruajnë ata, mendoj se më duhet t’i mbyll rrjetet sociale, të gjithë duhet t;i mbyllin rrjetet sociale”.

“E kam thënë më herët dhe po e them prapë tani dhe do ta them edhe në të ardhmen se duhet të jem vetëm unë. Unë jam ai që del në fushën e lojës. Nuk del gruaja ime, as fëmija im i vogël, as familja ime”, shtoi ai.

“Pra, nëse dëshironi ta kritikoni dikë, nuk e kam problem nëse më kritikoni si person, si lojtar. Por mos i përfshini edhe njerëzit e tjerë sepse atë nuk kanë të bëjnë asgjë me punën time”, theksoi kosovari.

“Ata nuk janë përkrahësit e klubit tim. Unë nuk i shoh ata si përkrahës të klubit tim, sepse për ta përkrahur klubin, ata duhet të jenë këtu nëse ne humbim, barazojmë apo fitojmë. Natyrisht se mund të kritikosh dhe të thuash çfarëdo për futbollin, por jo për personin, jo për familjen.”

Xhaka nënvizoi: “Nuk është problem kur fitojmë. Nëse humb, të gjithë të urrejnë, të gjithë shkruajnë gjërat… është e pamundur ta kuptosh sesi ata mund të shkruajnë gjëra të tilla. Sikur të mund t’i takoja njerëzit që shkruajnë gjëra të tilla, të ulesha me ta ballë për ballë dhe t’i pyesja: përse shkruani gjëra të tilla?”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme