Xhaka ndihet krenar me shiritin e kapitenit në krah

Prishtinë | 13 Tet 2020 | 10:03 | Nga Ekonomia Online

Granit Xhaka është dora e zgjatur e përzgjedhësit të Zvicrës, Vladimir Petkoviq, dhe një altoparlant në fushë. Por nuk ishte gjithmonë kështu.

Në moshën 28-vjeçare dhe me 84 ndeshje ndërkombëtare, mesfushori Xhaka ka kohë që ka bërë hapin për t’u bërë një lojtar i rëndësishëm te Zvicra. Në katër ndeshjet e fundit ai zyrtarisht ka udhëhequr Zvicrën si kapiten.

“Jam jashtëzakonisht krenar që më lejohet të jem kapiten. Është një ëndërr e realizuar “, pranoi futbollisti i Arsenalit.

Xhaka hap rrugën për ekipin e ri zviceran. Ai udhëheq ndeshjet si mesfushor qendror.

“Unë dua të tërheq lojtarët e rinj me vete dhe t’i ndihmoj ata”, thotë Xhaka.

Në fakt, ai thotë se te Zvicra dëshiron ta bartë përvojën që e ka marrë gjatë viteve të fundit duke luajtur në Bundesligë, te Borussia Moenchengladbachu, dhe tani te Arsenali në Premier League.

“Dua që përvojën time që kam ta bart te lojtarët e rinj dhe mundohem t’u ndihmoj atyre gjatë ndeshjeve”, thotë Xhaka, i cili pranon se kur ishte fëmijë as që ka ëndërruar se ndonjëherë do të shndërrohej në futbollist lider.

Si futbollist, Xhaka është rritur te skuadra e Baselit.

“Unë kam qenë mjaft i ndrojtur në shkollë. Unë kurrë nuk kam pasur zë të lartë. Kjo erdhi vetëm gjatë mësimit tim, kur kisha të bëja me lojtarë më të moshuar”, zbulon Xhaka, që krahas stërvitjeve në futboll ka përfunduar edhe një praktikë komerciale.

Graniti ka mësuar shumë edhe nga gabimet e vëllait të tij. Ai e sheh vëllanë e madh Taulantin, i cili është një profesionist te FC Baseli, si një nga arsyet e pjekurisë së tij.

“Me një vëlla më të madh sigurisht që mund të shihni nëse ai po bën diçka të gabuar apo të drejtë”, thotë Xhaka.

Kështu që ai mundi të nxirrte konkluzionet dhe të mos bënte gabimet e Taulantit.

Xhaka e ka njohur përgjegjësinë për të vepruar si kapiten për një kohë të gjatë. Te Borussia Moenchenbladbachu ai ishte po ashtu dorë e zgjatur e trajnerit. Xhaka gjithashtu u lejua që për një kohë të ishte edhe kapiten i Arsenalit, por përplasja me tifozët e klubit londinez bëri që atij t’i merren shiriti dhe përgjegjësia. Megjithatë, ai thotë se është forcuar vetëm më shumë nga kjo krizë e vogël që gati sa nuk i kushtoi edhe me largim nga klubi.

Xhaka e tejkaloi edhe këtë dhe tani është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm në ekipin e trajnerit Mikel Arteta. Pranë fushës Xhaka mund të llogarisë shumë edhe në gruan e tij.

“Sigurisht që më ndihmoi shumë edhe fakti që gjeta partneren kur isha 22 vjeç. Ajo ishte gjithmonë pranë meje, madje edhe kur kaloja kohë të vështira në klube. Është shumë e rëndësishme për një lojtar që të ketë njerëz të tillë përreth vetes”, shprehet Xhaka.

Ndërkohë lindja e vajzës një vit më parë i dha Xhakës një hov të ri. “Është një përvojë e re. Shumë gjëra po ndryshojnë. Jam jashtëzakonisht i lumtur, sepse gjërat po shkojnë ashtu siç i kam imagjinuar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme