Xhaka – tifozëve të Arsenalit: Më dhemb shpirti që nuk ua solla trofeun

Prishtinë | 30 Maj 2019 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Granit Xhaka ndihet se i ka lënë të zhgënjyer tifozët e Arsenalit, duke mos qenë në gjendje t’i ndihmojë skuadrës ta fitojë Ligën e Evropës dhe t’ua sjellë atyre trofeun evropian në Londrën veriore.

Arsenali u turpëruar 4:1 nga Chelsea në finalen e së mërkurës në Baku, duke përjetuar zhgënjim dhe dështim të dyfishtë.

Eden Hazard me dy gola, të cilat mbase ishin të fundit në fanellën e kaltër në karrierën e tij, Olivier Giroud dhe Pedro nga një herë e frymëzuan skuadrën e Maurizio Sarrit drejt triumfit në Evropa Ligë në sezonin e parë të italianit në stolin e Chelseat.

Mesfushori shqiptar i Zvicrës ndihet i lënduar sepse ka dështuar në synimin e tij për ta fituar këtë trofe për tifozët, të cilin i ka falënderuar për përkrahje.

“Vërtetë dhemb që ne nuk ia dolëm ta sjellin në shtëpi këtë trofe. Faleminderit të gjithëve që erdhën në Baku. Faleminderit të gjithë tifozëve për përkrahjen këtë sezon”, shkroi Xhaka në Facebook.

Xhaka luajti 90 minuta të plotë në finale, ndërkohë që Shkodran Mustafi u la në bankën e rezervistëve dhe s’u aktivizua fare, por nuk mundi të shfaqë kurrfarë ndikimi për t’i ndihmuar Arsenalit ndaj rivalit londinez.

Disfata në finale përbën zhgënjim të dyfishtë për Arsenalin e Xhakës, pasi përveç se e humbi trofeun, e lëshoi edhe rastin e fundit për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme