Xhemajli e quan të suksesshëm debutimin te Xamaxi

Prishtinë | 31 Kor 2018 | 11:13 | Nga

Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Arbenit Xhemajli, debutoi me sukses në Superligën e Zvicrës. Xhemajli 20-vjeçar luajti për 90 minuta te Neuchatel Xamaxi që barazoi të shtunën ndaj Baselit me rezultatin 1:1, në kuadër të xhiros së dytë të elitës së futbollit zviceran.

“Ne bëmë një paraqitje të mirë dhe arritëm t’ia merrnim një pikë Baselit. Më mirë nuk mund ta paramendoja debutimin. Nuk isha shumë nervoz, isha i emocionuar. E kam pritur këtë ndeshje. Kam qenë pak në siklet, sepse kam dashur të paraqitem sa më mirë. Gjitha emocionet i largova pas dy prekjeve të topit”, ka thënë Xhemajli në një intervistë dhënë “lematin.ch”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Reprezentuesi i Kosovës në ndeshjen kundër Baselit u paraqit në vend të futbollistit serb, Igor Gjuriq, që u lëndua javën e shkuar.

“Më vjen keq për Igorin, sepse është lënduar një bashkëlojtar. Por, nga ana tjetër, unë isha duke qëndruar i gatshëm për t’u paraqitur. Pra, më vjen keq për lëndimin e tij, por ky është një rast i mirë për mua. Për paraqitjen time duhet pyetur trajnerin. Unë mendoj se kam bërë një punë të mirë”, ka theksuar Xhemajli.

Xhemajli te Xamaxi u transferua nga skuadra e të rinjve të Zuerichut. Me Xamaxin ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme