Xhiroja nis me ndeshje interesante: Drita lufton për titull, Ferizaj për mbijetesë

Prishtinë | 19 Qer 2020 | 09:30 | Nga Ekonomia Online

Xhiroja e 25-të e Superligës së Kosovës nis me përballjen interesante mes Dritës, e cila po lufton për titullin e kampionit, dhe Ferizajt, që lufton për mbijetesë.

Sot në orën 17:00 në Gjilan do të zhvillohet përballja e parë e xhiros së 35-të të ligës elitare të Kosovës. Drita do ta presë Ferizajn me qëllimin për ta përforcuar pozitën e liderit, duke rritur epërsinë ndaj Prishtinës në pesë pikë, të paktën përkohësisht.

Drita vjen në këtë ndeshje pas dy fitoreve radhazi në dy javët që nga rinisja e futbollit në Kosovë, të cilat ia kanë mundësuar gjilanasve që ta marrin kreun e tabelës, duke e kaluar kështu Ballkanit që e mbante këtë pozitë para ndërprerjes shkaku i koronavirusit.

Djemtë e Ardian Nuhiut synojnë ta mbajnë këtë pozitë deri në fund të kampionatit për t’u shpallur kampionë. Pengesa e tyre radhës në këtë rrugëtim do të jetë Ferizaj, me fitore ndaj të cilit do të mundë ta rrisin epërsinë ndaj Prishtinës, që radhitet në pozitën e dytë dhe e zhvillon ndeshjet e vet të shtunën, në pesë pikë.

Në anën tjetër, Ferizajt i duhen pikët e kësaj ndeshjeje për t’i përmirësuar gjasat për mbijetesë në Ipko Superligë, pasi që aktualisht radhitet në pozitën e dhjetë. Ferizaj vjen në këtë ndeshje pas dy disfatave të thella – 8:1 kundër Prishtinës dhe 3:0 kundër Gjilanit.

Megjithatë, Ferizaj do të shpresojë të bëjë më mirë në sulm kundër Dritës, e cila megjithatë s’ka pranuar asnjë gol që nga rinisja e sezonit, duke siguruar fitore me rezultat 2:0 kundër Trepçës ’89 dhe 1:0 kundër Flamurtarit.

Xhiroja e 25-të do t’i sjellë edhe disa ndeshje të tjera interesante. Të shtunën zhvillohen tri ndeshje: Drenica – Flamurtari, Gjilani – Vushtrria dhe Prishtina – Dukagjini, ndërsa të dielën do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e fundit: Ballkani – Trepça ‘89 dhe Feronikeli – Llapi. /Gazeta Express/

Të ngjashme