Xhudistja nga Jordania, Alami, po e mban formën në mënyrë të pazakontë gjatë izolimit

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Pa qasje në pajisje të fitnesit gjatë periudhës së kufizimit në Jordani shkaku i koronavirusit, shpresa olimpike në xhudo Hadeel Alami ka gjetur një mënyrë të pazakontë për të mbajtur formën – duke e përdorur motrën e vogël si peshë në stërvitje, shkruan agjencia Reuters.

Pandemia e koronavirusit ka ndaluar sportin nëpër botë. Shumë ngjarje sportive janë anuluar apo shtyrë. Lojërat Olimpike në Tokio janë shtyrë për vitin e ardhshëm.

“Unë kam përpiluar një plan stërvitor. Në mesin e stërvitjeve e kam mbajtjen e motrës në shpinë duke bërë pompa. Unë jam munduar të bindi atë se kjo është një lojë. Tash sa herë që e përmendi stërvitjen, ajo emocionohet. E adhuron dhe mendon se po luaj me të”, ka thënë Alami 20-vjeçare.

Alami po ashtu ka transformuar shishet e ujit në pesha dhe e ngritë edhe divanin në vend të peshave.

Sportistët kanë gjetur mënyra të pazakonta për të mbajtur veten në formë gjatë periudhës së izolimit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit që ka infektuar mbi 1.8 milionë persona nëpër botë dhe ka shkaktuar mbi 113 mijë persona.

Në Jordani janë regjistruar mbi 350 të infektuar.

Alami ka folur edhe për shtyrjen e Lojërave Olimpike.

“Në fillim isha e dëshpëruar me shtyrjen. Ndala stërvitjet dhe pushova. Por, më pas thashë me vete: Pse duhet të jetë negative? Ky vit mund të më mundësojë të stërvitem më tepër dhe të punojë më fortë që të jem më mirë e përgatitur. Nisa të mendoja pozitivisht, ndoshta u shty për një arsye të mirë”, ka thënë Alami.

Image


Të ngjashme