Xhudo mbetet sporti numër një në Kosovë

Prishtinë | 31 Jan 2020 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Xhudo është konfirmuar si sporti kryesor në Kosovë derisa boksi dhe mundja janë ngritur në kategorinë B për këtë vit, falë rezultateve të vitit të shkuar, ka njoftuar Komiteti Olimpik i Kosovës. KOK-u të enjten ka mbajtur konferencë për shtyp, në të cilën ka publikuar rezultatet e kategorizimit të sporteve, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2020.

Rezultatet e arritura gjatë vitit të shkuar kanë bërë që xhudoja të mos lëvizë nga pozita e parë në kategorinë A. Këto rezultate i kanë mundësuar xhudos që të tubojë 86.4 pikë për këtë vit, më shumë sesa vitin e shkuar kur në të njëjtën pozitë pati 86.20 pikë. Kategoria A përbëhet prej gjashtë sporteve dhe menjëherë pas xhudos renditet futbolli që ka tejkaluar karatenë, që ka zbritur në pozitën e tretë. Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka 79.28 pikë derisa Federata e Karatesë e Kosovës (FKK) numëron 78.46 pikë. Renditjen e kësaj kategorie e mbyllin Federata e Hendbollit e Kosovës (76.06 pikë), Federata e Volejbollit e Kosovës (74.59) dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (73.55), shkruan sot Koha Ditore.

“Komisioni i KOK-ut ka punuar më shumë se një javë në kategorizim, duke u bazuar në të dhënat që i kanë sjellë federatat dhe në bazë të të cilave pastaj kanë dalë rezultatet e kësaj liste. Na gëzon fakti që gjithnjë e më pak ka ankesa dhe të gjithë ata që nuk pajtohen me këtë kategorizim, kanë afat tetë ditë për ta bërë një gjë të tillë prej publikimit të rezultateve”, është shprehur kreu i KOK-ut, Besim Hasani. “Kategorizimi i sporteve është një arritje e madhe për sportin tonë, pasi si federatave ashtu edhe sportistëve e trajnerëve ua lehtëson punët për shkak se të gjithë përfitojnë nga fondi i MKRS-së”.

Mundja dhe boksi kanë zënë dy vendet e para në Kategorinë B dhe për këto sporte ky është promovim për shkak se vitin e shkuar ishin pjesë e kategorisë C. Federata e Mundjes i prin kësaj kategorie me 66.29 pikë derisa menjëherë pas saj renditet Federata e Boksit me 65.54 pikë. Meritat më të mëdha për mundjen që është ngritur kaq shumë i mban garuesi Egzon Shala, që vitin e shkuar përfundoi i shtati në Kampionatin Botëror. Ky sukses i ka shtuar 17 pikë kësaj federate sikurse edhe Federatës së boksit, që i janë shtuar po aq pikë për shkak se boksieri Patriot Behrami doli i pesti në Lojërat Evropiane për të rinj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme