Xhudoja synon normën e gjashtë olimpike me Laura Fazliun

Prishtinë | 15 Jan 2020 | 08:38 | Nga Ekonomia Online

Me shumë mundësi, xhudoja do të ofrojë normat e vetme olimpike të Kosovës për “Tokio 2020”. Janë plot pesë xhudistë që ka kohë që janë në zonën që siguron normën për Olimpiadën e këtij viti, ndërsa gjasat që ndonjëri prej tyre të dalë nga zona janë fare të vogla.

Trajneri Driton Kuka, megjithatë, vazhdon të jetë kërkues. Ai synon edhe normën e gjashtë, që për një sport individual të një vendi të vogël si Kosova do të vlerësohej sukses shumë i madh. Normën e gjashtë xhudoja kosovare e synon përmes Laura Fazliut. Fazliu ka pasur suksese të mëdha vitin e kaluar në konkurrencë të juniorëve dhe trajneri Kuka vlerëson se ajo tashmë e ka potencialin që i duhet për të fituar normë olimpike, shkruan sot Koha Ditore.

Laura Fazliu ka kohë deri më 30 maj që të sigurojë normën olimpike. Sulmin për normë e nis në Tel-Aviv të Izraelit, ku mbahet gara e parë e vitit në turin botëror të xhudos. Gara Grand Prix e Tel-Avivit zhvillohet prej 23 deri më 25 janar. Laura do të garojë në kategorinë deri 63 kilogramë. Do të jetë sfida e parë serioze në nivelin e të rriturave për 19-vjeçaren, ndonëse ajo ishte paraqitur në Lojëra Mesdhetare vitin e kaluar dhe në disa gara më të vogla të senioreve.

Laura vitin e kaluar fitoi medalje të bronzta në kampionat botëror dhe në kampionat evropian në konkurrencë të junioreve. Gjatë karrierës ka arritur edhe suksese të tjera në kategori të reja.

Laura ishte pjesë e një ekipi të gjerë të Kosovës që të martën përfundoi kampin e madh të mbajtur në Mittersill të Austrisë.

Të ngjashme