Yjet e Premier Leagues po refuzojnë të kthehen në skuadra nga frika nga Coronavirusi

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Yjet e Premier Leagues po refuzojnë të kthehen te skuadrat e tyre nga frika nga Coronavirusi, shkruan “Daily Mail”. Lojtarët kanë shprehur privatisht te kryetrajnerët rezervën e tyre të madhe për rikthimin në punë javën e ardhshme.

Një numër i klubeve të elitës do të mbajë video-konferenca gjatë 48 orëve të ardhshme me synim për të njoftuar lojtarët për protokollet shëndetësore dhe të sigurisë.

Në këto video-konferenca lojtarët do ta kenë mundësinë për të shprehur shqetësimin e tyre për t’iu kthyer ndeshjeve. Klubet pritet t’i kthehen stërvitjeve në grupe të vogla nga 18 maji. Në disa klube të Anglisë po zhvillohen stërvitjet individuale.

Një numër i lojtarëve synojnë që në takime me krerët e klubit sot të informojnë se nuk preferojnë të kthehen përderisa të mbetet rreziku i Coronavirusit.

Disa prej tyre madje kanë shprehur publikisht shqetësimin për rikthimin si Sergio Aguero i Manchester Cityt, Manuel Lanzini i West Ham Unitedit e Danny Rose i Tottenhamit.

Klubet nuk janë duke bërë presion te lojtarët që të rikthehen në fushë. Por, fakti se shumë klube mund t’u rikthehen ndeshjet pa skuadrat e plota është shqetësues.

Të hënën qeveria britanike ka lejuar rikthimin e aktiviteteve sportive në vend pa shikues, duke filluar nga 1 qershori.

Raportohet se Premier League do të duhet të rimbursojë transmetuesit televiziv deri në 400 milionë euro edhe nëse përfundohet stinori, si pasojë të pezullimit të garave e po ashtu rikthimit të mundshëm pa shikues.

Por, lojtarët e Premier Leagues janë të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të familjeve të tyre dhe preferojnë të mos kthehen në fushë. Këtë shqetësim e kanë shprehur në grupe në WhatsApp dhe po ashtu do ta shprehin edhe te zyrtarët e klubit në video-konferenca.

Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, ka thënë për “Sky Sports”, se është e paevitueshme që disa lojtarë do të refuzojnë të kthehen.

“Nëse lojtarët, në masë të madhe, do të jenë kundër kthimit, atëherë do të jetë e vështirë. Por, shumica me të cilët kam folur duan të kthehen. Gjithmonë do të ketë nga tri-katër në çdo grup që kanë dyshime dhe duhet të respektosh këtë. Shëndeti i lojtarëve është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Nuk besoj se të gjithë lojtarët do të pranojnë të kthehen, por nuk do të jetë edhe kurrë sigurt pa pasur një vaksinë”, ka thënë Carragher.

Edhe kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka shprehur shqetësimin se është herët për rifillimin e Premier Leagues dhe ka shprehur shqetësimin për sportistët në përgjithësi. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme