Ylli i Chelseat e konfirmon: Akuzat për përdhunim ndaj meje janë hedhur poshtë

Prishtinë | 13 Qer 2020 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi anësor i Chelseat dhe Anglisë, Callum Hudson-Odoi, e ka mirëpritur vendimin e policisë për t’i dhënë fund hetimeve ndaj një akuze për përdhunim që ishte bërë ndaj tij, pasi që 19-vjeçari tha se është i lumtur që e ka emrin e pastër sërish

Callum Hudson-Odoi ishte arrestuar shkaku i akuzës për përdhunim në orët e hershme të mëngjesit të 17 majit, mirëpo policia më vonë e kishte konfirmuar se ai është liruar nga paraburgimi vetëm pak orë më vonë.

Policia dhe një autoambulancë ishte thirrur në një adresë në Londër në orën 3:53 të mëngjesit të 17 majit, pasi një grua raportoi se ishte përdhunuar. Përderisa gruaja menjëherë u dërgua në spital, 19-vjeçari Hudson-Odoi u arrestua në vendin e ngjarjes.

Ai ishte liruar nga paraburgimi me urdhër për t’u kthyer në një datë të caktuar në mes të qershorit, përderisa hetimet për këtë rast tani është bërë e ditur se kanë marrë fund pasi që padia është hedhur poshtë.

“Në një kohë kur janë duke ndodhur gjëra më të rëndësishme në botë për momentin, ju ndoshta jeni të vetëdijshëm edhe për disa akuza serioze që u ngritën ndaj meje”, ka thënë Hudson-Odoi.

“Unë kam qëndruar i heshtur dhe e kam ndihmuar policinë përgjatë gjithë hetimeve, pasi që e dija se do të vinte dita kur do të më pastrohej emri sërish. Pas një hetimi të plotë, policia e ka konfirmuar se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim të mëtutjeshëm”.

“Unë dua ta përdor këtë platformë për t’i falënderuar të gjithë që më kanë qëndruar përkrah dhe më kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë. Unë kam mësuar se të qenët futbollist dhe të luash për njërin ndër klubet më të mëdha në botë të sjell edhe përgjegjësi dhe në të ardhmen do të tentoj ta përdor këtë platformë si lojtar i Chelseat për të qenë shembulli që mund të jem”.

The Sun raportoi se Hudson-Odoi e kishte takuar gruan në fjalë online dhe e kishte ftuar në shtëpinë e vet, duke e dërguar një makinë për ta marrë.

Rregullat e karantinës specifikojnë se vetëm një person nga secila shtëpi mund të takohen mes vete nëse qëndrojnë në ambient të hapur dhe mbajnë distancë prej dy metrash.

Hudson-Odoi kishte qenë lojtari i parë i Premierligës që ishte infektuar me koronavirus. Megjithatë, ai tashmë është shëruar plotësisht dhe po pret t’u kthehet ndeshjeve të ligës. /Gazeta Express/

Të ngjashme