Ylli i Malit të Zi u del në mbrojtje serbëve që e bojkotuan ndeshjen kundër Kosovës

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Anësori i Malit të Zi, Marko Vesovic, nuk ka pranuar t’i kritikojë dy bashkëlojtarët e tij serb dhe ish-trajnerin Ljubisa Tumbakovic, të cilët nuk pranuan të luajnë në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës.

Pas presionit të madh politik nga Beogradi, trajneri serb Ljubisa Tumbakovic dhe ndihmës trajneri i parë, Sasa Jankovic, nuk pranuan të luajnë kundër Kosovës, së bashku me dy futbollistë të tjerë – Filip Stojkovic dhe Mirko Ivanic, transmeton Gazeta Express.

Mali i Zi u udhëhoq në këtë ndeshje, që përfundoi me rezultat 1:1 në Podgoricë, nga ish-futbollisti i kësaj Kombëtareje, Miodrag Dzudovic, ndërsa pak orë pas ndeshjes, Tumbakovici u shkarkua nga puna e tij.

“Ishte një ndeshje tmerrësisht e vështirë, edhe përgatitjet për ndeshjet, rrethanat ishin jotipike për një ndeshje të futbollit. Gjithçka shkoi shumë shpejt, ne folëm për gjithçka, jo vetëm për atë që do të ndodhte në fushë”, ka thënë Vesovic.

“Ajo që ndodhi duhet të mbesë brenda zhveshtores, kjo është familja jonë dhe ne duhet ta mbajmë mendimin tonë për vete. Ka njerëz që do të merren me këtë punë, por ne vazhdojmë me kualifikimet”.

Për dallim nga fati i trajnerit, gazeta beogradase, Informer, raporton se Filip Stojkovicit dhe Mirko Ivanicit u është dhënë edhe një mundësi e dytë nga Federata e Futbollit e Malit të Zi.

Mali i Zi ishte nikoqir i Kosovës në stadiumin e qytetit në Podgoricë, në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, e cila u mbyll me rezultat baras 1:1. /Gazeta Express/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme