Ylli i Spanjës vlerëson lartë Kosovën

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Dani Olmo ishte lojtari më i rëndësishëm i Spanjës në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Botërorin “Katari 2022”. Ai shënoi në minutën e 92-të për fitoren 2:1 të Spanjës ndaj Gjeorgjisë. Më pas realizoi gol të bukur në fitoren 3:1 të Spanjës ndaj Kosovës. Olmo kishte shënuar golin e parë në ndeshjen e luajtur në Sevilla më 31 mars.

Spanja ka dominuar në fushë ndaj Kosovës, por Olmo ka vlerësuar lart “Dardanët”. Ai së fundi ka dhënë një intervistë për mediumin kroat Sportske Novosti, ku ka folur edhe për Kosovën.

Olmo 22-vjeçar, aktualisht luan për RB Leipzigun në Gjermani. Mesfushori ofanziv bëri emër sa ishte pjesë e Dinamo Zagrebit në Kroaci. Për Spanjën ka realizuar tri gola në 11 paraqitje.

“Mund t’iu them se Kosova, me të cilën kemi luajtur ndeshjen e fundit, është përfaqësuese e mirë. Lojtarët e saj ishin shumë të papërshtatshëm, ishin shumë kompaktë. Nuk ishte e lehtë për ne, përkundrazi. Në fund kemi pasur shumë raste, kemi mundur të shënojmë edhe disa gola. Ndoshta tre-katër gola. Duhet të punojmë që të shënojmë më shumë gola. Do të na duhet kjo”, ka thënë Olmo për “Sportske Novosti”.

Ai ka theksuar se Suedia do të jetë rivalja kryesore e Spanjës për vendin e parë në grup. Spanja udhëheq në grupin B me 7 pikë nga tri ndeshje. Suedia është e dyta me 6 pikë nga dy ndeshje. Këto dy përfaqësuese tashmë kanë bërë shkëputjen. Greqia është e treta me 2 pikë nga dy ndeshje, ndërsa Gjeorgjia e katërta me 1 pikë nga tri ndeshje. Kosova është pa pikë. Pos nga Spanja, Kosova ka humbur edhe nga Suedia, 3:0 në Prishtinë.

“Ibrahimoviqi dhe të tjerët do të jenë rivalët tanë kryesorë. Suedia më duket shumë e mirë. Mendoj se së bashku me ne, suedezët janë më të mirët në grup. Disi mendoj se në fund të parët do të jemi ne ose ata. Unë natyrisht besoj se do të jemi ne”, ka theksuar Olmo.

Olmo në moshë fare të re kishte lënë Akademinë e Barcelonës për të vazhduar karrierën te Dinamo e Zagrebit. Dhe lëvizja doli më se e qëlluar. Ai tani është prej lojtarëve kryesorë të Spanjës.

Të ngjashme