Zanetti: Një epokë e re ka filluar për Interin

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 13:16 | Nga Ekonomia Online

Legjenda e Interit, Javier Zanetti, beson se Interi e ka filluar një epokë të re dhe e ka krahasuar skuadrën aktuale të zikaltërve me skuadrën e tyre gjatë kohës kur ai luante për ta, atë të sezonit 2009/10.

Në Itali, Interi e organizoi një festival, Festival dello Sport, ku figura të ndryshme nga skuadra e vitit 2010 të Interit, që e kishte fituar tripletën, dolën në skenë dhe i shkëmbyen disa ngjarje rreth asaj skuadre, transmeton Gazeta Express

Zëvendës-presidenti i klubit, Javier Zanetti, i cili kishte qenë lojtar i Interit për 19 vite, para se të pensionohej në vitin 2014, e shfrytëzoi këtë rast për ta krahasuar skuadrën aktuale të Interit me skuadrën e zikaltërve kur luante ai.

“Ai Inter dhe skuadra aktuale janë në dy situata plotësisht të ndryshme. Ne ishim duke e arritur kulmin e një epoke. Kthimi në Ligën e Kampionëve është pika e një fillimi të ri, por ne e kemi një skuadër mjaft të mirë që mund të arrijë shumë”, ka thënë Zanetti.

“Ndeshjet e ardhshme kundër Milanit dhe Barcelonës janë shumë të rëndësishme. Natyrisht, Derby di Milano është ndeshja kryesore dhe që të dy skuadrat janë tani në formë të mirë. Për fat të keq, disa lojtarë nuk do të kthehen deri vonë nga Kombëtaret dhe s’do të ketë mjaftueshëm kohë për t’u përgatitur”.

“Derbin të cilin e përkujtoj me më së shumti dashuri është ai i vitit 2010, të cilin e fituam me rezultat 4-0. Të gjithë duan të marrin pjesë në një ndeshje të tillë dhe shpresoj se do të fitojmë. Fitorja kundër Barcelonës është e mundur pasi që futbolli është një sport shumë i balancuar dhe çdo skuadër e ka dikë që mund të prodhojë momente magjie”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme