Zbulohet trofeu i Conference League

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Sezonin e ardhshëm do të luhet edicioni i parë i kompeticionit më të ri europian për klube, Conference League. “UEFA” ka zbuluar trofenë që do t’i dorëzohet fituesit në përfundim të finales që do të zhvillohet në stadiumin e ri modern të Shqipërisë, “Air Albania”, më 25 maj 2022.

Kupa është e lartë 57.5 cm dhe peshon 11 kg, ajo është e dizenjuar me 32 shufra gjarpëruese, që simbolizojnë secilën nga 32 skuadrat pjesëmarrëse në fazën e grupeve.

Forma e lakuar e shufrave është frymëzuar nga fluturimi i një topi futbolli ndërsa drejtohet drejt portës. Baza dhe pjesa e sipërme është formuar nga bronzi me çelik të galvanizuar, ndërsa shufrat kanë në fund argjend shkëlqyes.

Conference League u jep mundësinë shumë futbollistëve të përjetojnë futbollin euopian, duke zhvilluar karrierën e tyre, ndërsa klubeve një shans shtesë për të fituar trofe.

“Ne duam t’i bëjmë garat tona më gjithëpërfshirëse, t’u japim klubeve dhe tifozëve mundësinë të ëndërrojnë dhe të garojnë për çmimet europiane,” – tha Presidenti i UEFA-s Aleksander Čeferin.

“Kjo është arsyeja pse ne krijuam UEFA Conference League. Ne kemi 55 federata kombëtare, që përbëjnë UEFA-n, dhe është e rëndësishme t’u japim klubeve nga sa më shumë federata, mundësinë për të zgjatur pjesëmarrjen e tyre në garat europiane për aq sa të jetë e mundur.”

Trofeu për UEFA Conference League u krijua nga “Pentagram” dhe identiteti i markës nga “Turquoise”, dy agjenci janë me qendër në Londër.

Të ngjashme