Zeneli i zhgënjyer me barazimin

Prishtinë | 26 Mar 2019 | 09:46 | Nga Ekonomia Online

Golashënuesi i vetëm i Kosovës në ndeshjen e mbrëmshme, Arbër Zeneli, është shprehur i zhgënjyer me barazimin kundër Bullgarisë.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës, Arbër Zeneli, e shfrytëzoi llogarinë e tij në Instagram për ta komentuar barazimin 1:1 kundër Bullgarisë, në ndeshjen e cila u zhvillua mbrëmë në “Fadil Vokrri”.

Fillimisht, bullgarët kaluan në epërsi në minutën e 39-të të ndeshjes, përmes golit të shënuar nga Vasil Bozhikov. Mirëpo, në minutën e 61-të, Arbër Zeneli e barazoi rezultatin me një supergol.

“Dardanët” kishin shumë raste për ta shënuar golin e fitores në këtë ndeshje, mirëpo djelmoshat e Bernard Challandes nuk e arritën këtë qëllim. Ylli i Werder Bremenit, Milot Rashica, i pati katër raste të mira gjatë ndeshjes, mirëpo nuk arriti t’i konkretizojë asnjërën nga to.

Pas ndeshjes, Zeneli u shpreh i zhgënjyer që Kosova nuk arriti t’i fitojë tri pikët në ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikimet në EURO 2020, mirëpo edhe i falënderoi tifozët për mbështetjen.

“Faleminderit për mbështetjen tuaj dje. Jam i zhgënjyer që nuk i morëm tri pikët… Erdhi koha që të kthehem dhe t’i filloj përgatitjet me @stadedereims”, shkruan Zeneli në llogarinë e tij në Instagram.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme