Zeneli, një “dardan” i lumtur që ishte lodhur duke pritur Suedinë

Prishtinë | 05 Gus 2019 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi i krahut, Arbër Zeneli, ishte lodhur duke pritur rastin te Suedia. Dhe në momentin që mori ftesën për ta përfaqësuar Kosovën, ku tash është lojtari kryesor, e pranoi atë. Tash thotë se është shumë i lumtur dhe i vlerësuar me fanellën e “dardanëve”.

Në një intervistë për të përditshmen suedeze “Expressen”, Zeneli ka thënë se këtë zgjedhje e ka bërë për karrierën e tij. Ai aktualisht po e merr veten pas operimit që e bëri shkaku i lëndimit që e pësoi në muajin qershor në ndeshjen eliminatore për “Euro 2020” ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.

Zeneli përpara se të përcaktohej për Kosovën, ka luajtur për gjeneratat U-17, U-19 dhe U-21 të Suedisë. Ishte pjesë e ekipit U-21 që pati fituar kampionatin evropian në vitin 2015 të mbajtur në Çeki. Ai edhe pse ishte titullar te Heerenveeni, tek i cili ekip u transferua nga Elfsborgu, asesi nuk ftohej nga ekipi i parë i Suedisë.

“Kurrë nuk e pata rastin tim, unë thjesht doja të luaja futboll. Po të ma kishte dhënë rastin Suedia kur u fut në kombinim Kosova, do ta kisha zgjedhur Suedinë, pasi kam luajtur nëpër të gjitha gjeneratat e reja, gjë që nuk mund ta harroj. Por në fund vendimin e mora për shkak të karrierës sime”, shprehet Zeneli, i cili tash është pjesë e ekipit nga Ligue 1, Reims. “Për asnjë sekondë nuk jam pishman që luaj për Kosovën, pasi vendosa me zemër. Te Kosova ndihem i vlerësuar dhe jam krenar që e mbaj atë fanellë”.

Zeneli është lindur dhe rritur në Suedi, por prindërit e tij janë nga Kosova. Me Përfaqësuesen e Kosovës ka shënuar shtatë gola në 17 paraqitje dhe thotë se “dardanët” kanë gjasa të mira për t’u kualifikuar në “Euro 2020”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme