Zgjedhja e femrave për trajnere ende shihet lëvizje e guximshme

Prishtinë | 08 Qer 2019 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Kur Petra Martiq arriti në çerekfinalen e saj të parë në Grand Slam – “French Open” të dielën, ajo ndjeu jo vetëm një lehtësim, por edhe vlefshmërinë e asaj që e quajti “një lëvizje mjaft e guximshme”: punësimin e një ish-lojtareje të WTA-së për trajnere.

“Kur fillova të punoj me të, të gjithë kishin dyshime në vendimin tim”, thotë Martiq për trajneren e saj, Sandra Zaniewska, të cilën e angazhoi në fillim të vitit të shkuar, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. “Njerëzit e nënvlerësuan atë, madje qeshën me të kur iu thoshte se do të jetë trajnere. Këtë lëvizje nuk e shihnin si serioze në karrierën time, pasi Sandra ishte e re dhe e papërvojë. Por unë kisha besim në të dhe puna e saj po shpaguhet gradualisht”.

Një lojtare e WTA-së të punësojë një ish-lojtare të WTA-së për trajnere mund të duket si lëvizje e pritur, por në realitet mbetet një zgjedhje shumë, shumë e rrallë. Sipas një raporti, del se vetëm pesë prej 100 tenisteve të para në listën e WTA-së kanë të angazhuar femra për trajnere – njëra prej këtyre pesëve u nda me trajneren e saj pak para fillimit të “French Open”.

Të pyetura se pse nuk kanë angazhuar trajnere, shumica e lojtareve sugjerojnë se ato nuk janë të gatshme të udhëtojnë, pasi preferojnë të qëndrojnë në shtëpi pranë familjes. Martiq që të martën u eliminua në gjysmëfinale nga Marketa Vondrousova, tha se Zianiewska i kupton ndjenjat e saj më mirë sesa një trajner mashkull. Kjo edhe ishte arsyeja që Martiq nuk hezitoi të angazhojë Zaniewskan.

“Ajo di të më këshillojë, pasi është femër. Gjithashtu, më ndihmon të kontrolloj ndjenjat kur luaj në Grand Slam apo turne të fortë. Zaniewska po më ndihmon shumë dhe unë jam shumë e kënaqur me punën e saj”, shprehet Martiq. “Mendoj se më mirë është të kesh dikë që të kupton sesa ndonjë person që vetëm të këshillon dhe nuk i interesojnë ndjenjat e tua. Për mua, kjo luan një rol shumë të madh”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme