Zhvillimet që sollën shpresën e Manchester Cityt te Kosova

Prishtinë | 29 Gus 2018 | 09:21 | Nga

Vendimi i Malit të Zi për të mos e ftuar në Përfaqësuesen A mund të ketë qenë vendimtar që portieri i Manchester Cityt, Arijanet Muriq, të pajtohet që t’i bashkohet Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Por kalimi i tij nga Përfaqësuesja U-21 e Malit të Zi te Përfaqësuesja A e Kosovës vështirë se do të ndodhte sikur në “lojë” të mos futeshin dy kosovarë që jetojnë në Zvicër, afaristi Zekirja Shahini dhe Astrit Shabani.

Federata e Futbollit e Kosovës të dielën ka njoftuar se Muriqi, që së fundi mori lëvdata të mëdha nga Pep Guardiola, do të bashkohet me Kosovën. Në njoftimin e FFK-së është përmendur afaristi kosovarë për “vënien e kontaktit me portierin dhe për ndihmën në çështjen e tij”, shkruan sot Koha Ditore.

Muriq, 19-vjeçar, aktualisht vlerësohet portieri i dytë i Manchester Cityt, pas lëndimit të Claudio Bravos. Kampioni anglez e ka huazuar në verë te NAC Breda në Holandë, por pasi e luajti një ndeshje Muriqi u kthye nga City për të zënë vendin e Bravos. Dhe fundjavën e kaluar ai dha përfundimisht fjalën se do të luajë për Kosovën në të ardhmen.

Do të jetë në Përfaqësuesen A, me shumë gjasa edhe portier i parë, por nuk do të jetë në ekip për ndeshjet e shtatorit, pasi procedura e pajisjes së tij me pasaportë merr më shumë kohë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme