Zidane: Benzema është sulmuesi më i mirë francez në histori

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, e ka lartësuar Karim Benzeman si sulmuesin më të mirë francez të të gjitha kohëve, pas dy golave që ai i shënoi për t’ia siguruar madrilenëve një fitore prej 3:1 kundër Athletic Bilbaos të martën.

Pavarësisht se Bilbao luajti me një lojtar më pak pothuajse tërë ndeshjen, skuadra e Zidane pati shumë vështirësi të shënojë, derisa Benzema i shfaqi aftësitë e tij mbresëlënëse për të shënuar dy herë, transmeton Gazeta Express.

Falë këtyre tri pikëve, Reali barazohet me pikë me liderët Real Sociedad dhe Atletico Madrid, edhe pse kjo e fundit i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Pas ndeshjes, Zidane u pyet nëse Benzema është sulmuesi më i mirë francez i të gjitha kohëve.

“Për mua, po”, tha Zidane.

“Ai e ka treguar këtë dhe ka qenë në Real Madrid për një kohë të gjatë. Ai i ka zhvilluar më shumë se 500 ndeshje dhe ka shënuar gola. Në fund të fundit, rekordi i tij flet vetë”, shtoi ai.

“Për mua, ai është më i miri. Është e qartë”. 

Të ngjashme