Zidane insiston se nuk ka asgjë kundër Balet

Prishtinë | 23 Kor 2019 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka mohuar se ka treguar mosrespekt ndaj uellsianit Gareth Bale, duke insistuar se vetë uellsiani kishte refuzuar të aktivizohej si rezervist në ndeshjen e së dielës ndaj Bayern Muenchenit.

Zidane në fundjavë kishte thënë se Bale është shumë afër të largohet nga klubi dhe se largimi i tij do të ishte i mirë për të gjitha palët, transmeton Koha Ditore. Ato komente shtynë agjentin e Balet, Jonathan Barnett, që të thotë se Zidane ka treguar mosrespekt ndaj uellsianit.

“Unë nuk kam treguar mungesë respekti ndaj ndonjërit. Atë ditë thjesht kam thënë se klubi po punon në largimin e Balet. Unë gjithmonë kam thënë të njëjtën gjë: lojtarët janë më të rëndësishmit në të gjithë këtë. Sa herë që është i përfshirë një lojtar, unë gjithmonë i mbështes ata”, ka deklaruar Zidane.

Zidane është kthyer stinorin e kaluar në mandatin e tij të dytë te skuadra madrilene.

“Gareth nuk u aktivizua ndaj Bayern Muenchenit, pasi vetë nuk deshi të luante dhe ai tha se arsyeja është pasi klubi po punon për largimin e tij”, ka deklaruar Zidane.

Bale është përmendur si opsion te disa klube këtë verë, përfshirë edhe te skuadrat e Premier Leagues, Manchester United dhe Tottenham. Pikërisht nga Tottenhami ishte transferuar te Real Madridi në vitin 2013 për 101 milionë euro. Po ashtu, si opsion tjetër për Balen është përmendur Superliga e Kinës.

Që kur është transferuar në Spanjë, Bale ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve dhe një herë La Ligan.

Zidane thotë se Bale do të stërvitet si normalisht.

“Ky klub po bën atë që duhet bërë dhe kaq është. Bale aktualisht është pjesë e skuadrës dhe e respektoj këtë. Kjo është gjëja më me rëndësi për mua”, ka deklaruar Zidane.

Në mediume është raportuar se Zidane me çdo kusht po shikon ta shesë Balen dhe të financojë transferimin e Paul Pogbas nga Manchester Unitedi.

Të mërkurën agjenti i Balet, Barnett, ka thënë se përjashtohet çdo mundësi që Bale të huazohet në ndonjë skuadër.

“Nuk do të ketë ndonjë marrëveshje të improvizuar për ta larguar atë nga klubi. Garethi është një nga lojtarët më të mirë në botë. Mund të garantoj se ai nuk do të huazohet në asnjë klub”, ka thënë Barnett për “Sky Sports”.

Të ngjashme