Zidane i ofron debutimin edhe djalit të dytë

Prishtinë | 21 Maj 2018 | 11:28 | Nga

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, i ka ofruar debutimin në La Liga të birit të tij Luca, duke e aktivizuar titullar të shtunën mbrëma në barazimin 2:2 me Villarrealin, në ndeshjen e fundit në kampionatin spanjoll të Realit këtë stinor. Portieri është bërë anëtari i tretë i familjes Zidane që ka luajtur për gjigantin spanjoll.

Trajneri Zidane ishte pritur të pushonte skuadrën e parë në ndeshjen e fundit të stinorit, para finales së Ligës së Kampionëve të shtunën e ardhshme kundër Liverpoolit, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”. Mirëpo kundër Villarrealit, Zidane aktivizoi skuadrën më të fortë, me përjashtim të portierit, ku e aktivizoi të birin e tij 20-vjeçar, Lucan.

Luca, djali i dytë më i vjetër nga katër sa i ka Zidane, pati një pjesë të parë të qetë, ndërsa Reali kaloi 2:0 në epërsi. Në pjesën e dytë ai bëri një pritje të bukur pas gjuajtjes së lirë të Nicola Sansones.

Mirëpo shpresat e tij për të mbajtur portën e paprekur u shuan kur Roger Martinez realizoi me një gjuajtje të fuqishme, me ç’rast Luca nuk pati shumë se çfarë të bënte. Por papërvoja e tij u pa kur e gjykoi keq një top të gjatë që shkoi në drejtim të Samuel Castillejos dhe sulmuesi e dribloi atë dhe barazoi shifrat.

“Ai ka pritur gjatë të luajë dhe është si çdo lojtar tjetër në skuadër. Ai u paraqit mirë dhe jam i lumtur që ka debutuar. Nuk është e vështirë për mua të ndaj rolin e trajnerit me atë të babait. Jam i lumtur për të si baba dhe si trajner, dhe do të shihemi më vonë me të në shtëpi”, ka deklaruar trajneri Zidane.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme