Zidane: Real-Atletico, një përballje 50 me 50

Prishtinë | 01 Maj 2017 | 20:20 | Nga

Përpara sfidës së parë gjysmëfinale të Championsit, Zinedine Zidane duket se kërkon të zbresë të besuarit e tij me këmbë në tokë, duke mos e parë ekipin “merengues” favorit përballë Atleticos.

“Do të zhvillojmë një ndeshje kundër një kundërshtari që na njeh shumë mirë, ndaj është një përballje 50 me 50”, thotë tekniku francez i “Los Blancos”-ve.

“Do të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen, – thotë Zidane, duke mos pranuar një barazim pa gola në përballjen e parë tërësisht madrilene. – Mendojmë vetëm fitoren, madje si në shtëpinë tonë edhe jashtë saj. Nuk duhet të mendojmë që sot për ndeshjen e kthimit, gjithsesi”.

Sa i përket dëshirës së tifozëve “merengues” për aktivizimin e Iscos si titullar, Zidane nuk jep asnjë njoftim paraprak, teksa thotë se formacioni do të vendoset ditën e martë.

“E kaluara është e ikur dhe nuk mund të mbështetemi tek ajo. Në të kaluarën kemi fituar, por kjo nuk do të thotë se diçka e tillë do të ndodhë edhe këtë herë”, vazhdon Zidane.

Gjithsesi, për kundërshtarin thur vetëm lavde dhe tregon respekt.

“Simeone po bën një punë të jashtëzakonshme. Argjentinasin e njoh vetëm si rival në fushat e blerta, por për të respekti është maksimal. Jemi të përgatitur mirë dhe gati për t’u përballur me Atleticon. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në fushë, por mezi presim të zbresim në Bernabeu për sfidën e parë”, thekson trajneri i Realit të Madridit.

Të ngjashme