Zidane: Të gjithë duan që ne të kemi problem me Bale, por ja që s’kemi

Prishtinë | 10 Shk 2020 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka këmbëngulur se ai nuk ka asnjë problem me yllin e skuadrës së vet, Gareth Bale, të cilin e zëvendësoi të parin në fitoren 4:1 në udhëtim kundër Osasuna të dielën pasdite.

Anësori uellsian ishte titullar për herë të parë që prej fillimit të janarit, por dështoi të ushtrojë ndikim në lojë, transmeton Gazeta Express.

Pas rreth një ore lojë, Zidane e nxori atë nga loja dhe pas ndeshjes nuk munguan pyetjet provokuese për francezin.

“Ai është lojtar i rëndësishëm”, tha Zidane për Bale.

“Mendoj se, pasi që nuk ka luajtur në disa ndeshjet e fundit, ai i pati 65 minuta të mirë në mbrojtje dhe në sulm; u përpoq”, shtoi ai.

“Problemi është se ata duan që ne të kemi problem me Gareth, ama ja që nuk kemi”, këmbënguli ai.

“Ne kemi shumë lojtarë, nuk është e lehtë t’i menaxhosh të gjithë kështu, por në fund të fundit ai është lojtar vërtet i rëndësishëm dhe do të luajë si të tjerët pak nga pak”, përfundoi ai. 

Të ngjashme