Zollner paguan çmimin për moskomunikim dhe ndarje të lojtarëve në klane

Prishtinë | 04 Tet 2018 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

Trajneri gjerman Matthias Zollner erdhi me bujë të madhe te Z Mobile Prishtina para një muaji e gjysmë, por të mërkurën mbrëma iku në heshtje.

Zollner 37-vjeçar, të mërkurën pasdite, mbajti seancën stërvitore me ekipin, e më pas u përshëndet më lojtarët dhe stafin e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Zollner ka konfirmuar largimin nga Prishtina për gazetën. Ka folur fare shkurt, e për më gjatë ka premtuar se do të flasë të enjten (sot).

“Po”, ishte përgjigjja e Zollnerit në pyetjen nëse është larguar nga klubi Prishtina. Për arsyet nuk ka dashur të flasë të mërkurën. Për këtë nuk kanë folur as zyrtarët e klubit, me gjithë insistimin e gazetës.

Por burime të gazetës kanë shpjeguar se klanet e krijuara mes lojtarëve kanë bërë që trajneri të mos mundë të mbijetojë. Bëhet fjalë për klanin e lojtarëve të huaj, që gjermani e përkrahte hapur dhe klanin e lojtarëve vendorë, të udhëhequr nga lojtari më i mirë kosovar, Dardan Berisha, që kohët e fundit humbi shumë nga ndikimi në skuadër. Madje, shpesh edhe duke mbetur në bankën rezervë, diçka e pazakontë për të, të paktën për kohën e kaluar te Prishtina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme