Zotohet kryeministri britanik: Qeveria ime do ta ndalë Superligën Evropiane

Prishtinë | 19 Pri 2021 | 14:04 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se qeveria e tij do të bëjë përpjekje të mëdha për ta ndalur jetësimin e Superligës Evropiane, e cila u formua nga disa klube të mëdha të dielën.

Sipas mediave britanike zyrtarët e Departamentit për Digjital, Kulturë, Media dhe Sport janë duke i studiuar urgjentisht mundësitë për parandalimin e kësaj lige dhe janë në kërkim të ideve të gjera për ta reformuar qeverisjen e futbollit anglez, raporton Gazeta Express.

Derisa mbetet e paqartë se çfarë pushteti kanë ministrat britanikë në sjelljen e ndryshimeve të detyrueshme, opsionet e mundshme janë parandalimi i kësaj lige në bazë të ligjeve për garat, apo detyrimi i klubeve të kenë përfshirje më të madhe të tifozëve në pronësi të klubit.

Në mesin e 12 klubeve evropiane që e formuan Superligë janë gjashtë nga Anglia, Manchester United, Manchester City, Liverpool, Chelsea, Arsenal dhe Tottenham.

Duke folur për media të hënën, kryeministri britanik tha: “Nuk më pëlqejnë këto propozime. Ne do të konsultohemi për të parë se çfarë mund të bëjmë”.

“Ne do ta shikojmë çdo mundësi që mundemi me autoritetet e futbollit për t’u siguruar që kjo garë nuk jetësohet në mënyrën siç është propozuar tani. Mendoj se kjo garë nuk është e mirë për tifozët e as për futbollin në vendin tonë”, shtoi ai.

Të ngjashme