Zviceranët do të jenë “mysafirë” sonte, stadiumi do të mbushet me tifozë shqiptarë

Prishtinë | 29 Mar 2022 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Stadiumi Letzigrund në Zurich do të jetë i stërmbushur sonte për ta pritur ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

“Loja e Miqësisë” po thirret miqësorja që konsiderohet si vëllazërore ndërmjet “Helvetikëve” dhe “Dardanëve”, me fillim nga ora 18:00, shkruan “Gazeta Express”.

Organizatorët thonë se gjithçka është gati për ndeshjen e sontme, ku në stadium pritet të jenë të pranishëm 20.800 shikues, ndërsa dy sektorë do të mbesin të zbrazët për arsye të sigurisë.

Sipas organizatorëve, Zurichu ishte zgjedhja më e mirë e mundshme.

“Zurichu është një zgjedhje e mirë, duke e pasur parasysh se shumë miq tanë kosovarë jetojnë në atë zonë”, thonë drejtuesit e Federatës Zvicerane.

Mijëra bashkatdhetarë dhe tifozë që kanë udhëtuar nga Kosova do të jenë të pranishëm në stadium në një atmosferë që pritet të jetë elektrizuese.

Edhe zviceranët janë të vetëdijshëm se në këtë takim mund të jenë “mysafirë”, duke e pasur parasysh prezencën e madhe të tifozëve shqiptarë.

Të ngjashme