Zyrtare: Konfirmohet data e saktë e rikthimit të futbollit në Turqi

Prishtinë | 06 Maj 2020 | 15:17 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Nihat Ozdemir, ka njoftuar se Superliga Turke do të rifillojë më 12 qershor, me të gjitha aktivitetet e futbollit në vend që janë pezulluar më 18 mars për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Turqia kishte qenë një nga vendet e fundit evropiane që e ndaloi veprimin sportiv, me shumicën dërrmuese të organeve qeverisëse që tashmë kishin ndalur garat e tyre përkatëse në një përpjekje për të kufizuar përhapjen e Covid-19.

Dhe duket se Turqia mund të përfundojë duke qenë kombi që ka qenë pa futboll për kohën më të shkurtër, me lëvizje që tani janë ndërmarrë nga TFF për të rifilluar lojën që nga mesi i qershorit.

Kjo pasi tashmë ka ardhur një deklaratë e lëshuar nga kreut i TFF, Ozdemir, i cili ka konfirmuar datën e saktë të rikthimit të Superligës Turke.

“Sot u mblodh Bordi ynë i Drejtorëve. Ne kemi bërë vlerësime në kuadër të Planit të Normalizimit të përgatitur nga shteti ynë me të gjitha institucionet dhe organizatat. Ne e dimë vështirësinë dhe përgjegjësinë e misionit tonë. Ne hartuam një hartë rrugore duke marrë parasysh të gjitha kushtet”.

“Unë do të doja t’ju njoftoja tani vendimin tonë, të cilin opinioni publik po e pret”.

“Tani për tani, ne kemi vendosur të fillojmë Superligën tonë të shtyrë, Ligën e Parë të TFF, Ligën e dytë, Ligën e tretë dhe Ligat Amatore Rajonale në javën e 12-13-14 qershorit, edhe pse kemi skenarë të ndryshëm”.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Komiteti Shkencor do të vendosin se si dhe në cilat kushte do të luhen garat. Në këtë proces, ne do t’i informojmë të gjitha klubet tona për parimet që do të dalin në fund të procesit, i cili përfshin vlerësimet e bëra nga Bordi i Shkencave së bashku me Bordin tonë Shëndetësor”.

“Ne synojmë ta përfundojmë sezonin me mbështetjen e të gjitha institucioneve të shtetit tonë. Shpresojmë se do të përfundojmë ligat tona në mënyrën më të mirë në fund të korrikut, do të japim trofetë tanë në fushë dhe do ta kurorëzojmë sezonin duke pritur finalen e Ligës së Kampionëve në vendin tonë në gusht”.

“Uroj që vendimet tona të jenë të mira për vendin tonë dhe për futbollin turk”, ka thënë Ozdemir.

Të ngjashme