Zyrtare: Pensionohet ish-ylli i Manchester Unitedit

Prishtinë | 30 Pri 2019 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Ish-mbrojtësi i Manchester Unitedit, John O’Shea, e ka konfirmuar edhe zyrtarisht pensionimin nga futbolli në ditëlindjen e tij të 38-të.

Irlandezi i kaloi gati 20 vjet si profesionist, pasi kishte diplomuar nga akademia e Manchester Unitedit në vitin 1999 dhe në fund të këtij sezoni, 2018/19, do t’i varë në gozhdë këpucët.

Ai qëndroi në Old Trafford deri në vitin 2011, duke e fituar Ligën e Kampionëve një herë, pesë herë Premierligën, një herë FA Cup dhe dy herë Kupën e Botës për Klube.

Ai regjistroi plot 393 paraqitje për “Djajtë e kuq” gjatë karrierës së tij.

Pas Unitedit, O’Shea luajti edhe për Sunderlandin, para se t’i kalonte pesë vitet e fundit të karrierës së tij në Reading duke i ndihmuar klubit ta shmangë rënien nga Championship, niveli i dytë i futbollit anglez.

O’Shea e përfaqësoi Irlandën në 118 ndeshje zyrtare në arenën ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme