Zyrtare: PSG-ja pa Messin, Ramosin e Verrattin kundër RB Leipzig

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 11:30 | Nga Ekonomia Online

Lionel Messi nuk ia ka dalë të riaftësohet për përballjen e Paris Saint-Germain kundër RB Leipzig në Ligën e Kampionëve.

Lionel Messi edhe zyrtarisht do të mungojë për PSG-në në takimin e xhiros së katërt të fazës grupore në Ligën e Kampionëve kundër RB Leipzig të mërkurën.

Përfaqësuesi i Argjentinës ka telashe muskulore dhe dhimbje në gju, prandaj i duhet më shumë kohë për t’u shëruar, njofton klubi parisien.

34-vjeçari ishte detyruar ta braktiste fushën pas pjesës së parë në fitoren e PSG-së kundër Lille të premten në Ligue 1 shkaku i shqetësimit muskulor dhe paraqitja e tij të mërkurën në kupën evropiane ishte në dyshim serioz, pasi ai nuk u stërvit me ekipin që prej atëherë.

“Messi ka shqetësime në muskuj dhe dhimbje në gjurin e majtë”, njoftoi PSG-ja.

Përveç Messit, PSG-ja do të jetë edhe pa Sergio Ramosin, i cili ende nuk ka debutuar për klubin dhe është ende duke u stërvitur i vetëm. Marco Verratti dhe Leandro Paredes mungojnë po ashtu, pasi ende nuk janë plotësisht të gatshëm pas lëndimeve.

Por trajneri Mauricio Pochettino do ta ketë në dispozicion Kylian Mbappen, i cili mungoi të premten shkaku i një infeksioni.

PSG-ja është lidere e Grupit A me 7 pikë pas tri ndeshjeve, e ndjekur nga Manchester City me 6 pikë, Club Brugge me 4 pikë dhe e fundit është Leipzig pa pikë.

Të ngjashme