Tahiri: Qeveria po grabitë të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës

Prishtinë | 18 Nën 2022 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se Qeveria e Kosovës me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, ka cenuar autonominë financiare të komunave.

Tahiri ka shtuar se Qeveria po grabitë të hyrat vetanake të komunave, pasi që në buxhetin për vitin 2023, të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit 2022 dhe të pa shpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar.

Shkrimi i plotë:

Qeveria po grabitë të hyrat vetanake të Komunave të Kosovës Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2023, me nenin 9, pika 6, ka cenuar autonominë financiare të komunave, ku theksohet se të gjitha të hyrat vetanake të mbledhura para vitit 2022 dhe të pa shpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar.

Kushtetuta e Kosovës, neni 124, organizimi dhe funksionimi i vetëqeverisjes lokale, në pikën 5 përcakton “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin.’’ Ky provizion është bartur edhe në Ligjin për Financat e Pushtetit Lokal, më saktësisht tek neni 2 Pavarësia Financiare e Komunave, pika 2.1 për të mirë të popullsisë së komunës, Kuvendi komunal dhe zyrtarët ekzekutiv kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale ose të cilat i janë ndarë komunës në formë të grantit të përgjithshëm.

Në vend se të sigurohet financimi, saktësisht investimet e ministrive të linjës, me parime dhe kritere të qarta, nga vizioni politik i prezantuar me grantin e katërt për komunat, apo sipas Draft Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, ku vendosen parime dhe kritere në grantin për investimet kapitale në komuna, ligj ky që për motive politike është tërhequr nga agjenda legjislative. Ky veprim i Qeverisë dëmton dhe pamundëson, jo vetëm financimin e qëndrueshëm, por në veçanti financimin e shërbimeve sociale në komuna.

Të ngjashme