5G zgjerohet në Kinë

Prishtinë | 19 Nën 2019 | 10:16 | Nga Ekonomia Online

5G është një projekt kapital që do të ketë ndikim në të gjithë botën, dhe është një kërcim kuantik krahasuar me 4G-në aktuale. Ajo që u intereson të gjithëve është se kur 5G më në fund do të bëhet realitet, ndërsa ajo pritet së pari në tregun më të madh në botë – në Kinë, raporton Tech Republic.

Në kërkim të përgjigjes ishte kompania financiare Credit Suisse sipas raportit të së cilës, gjatë vitit 2020 mund ta presim livrimin e rreth 290 milionë telefonave 5G, të cilët do të ofrojnë transfer dukshëm më të shpejtë të të dhënave, por edhe konsum dukshëm më të vogël të baterisë. E gjithë kjo me kusht që operatorët e telekomit ta gjejnë mënyrën për t’i nxjerë investimet e tyre në 5G.

Livrimet e para të pajisjeve 5G janë duke u bërë, ndërsa Kina është madje përpara planit të parashikuar me 150.000 stacione bazë të liferuara gjatë vitit 2019 (nga 136.000 sa ishin të parashikuara), ndërkohë që priten midis 600.000 dhe madje 1.2 milionë në vitin 2020, në varësi të mundësisë së operatorëve për ta përmbushur kërkesën.

Image

Hulumtimi i Credit Suisse tregon se më së shumti telefona mobil 5G do të mund të shesë Apple me madje tre modele iPhone 5G, ndërsa Huawei mund t’i livrojë midis 80 dhe 100 milionë njësi, shkruan KOHA Ditore. Kërkesa padyshim që ekziston, por problemi qëndron tek profitabiliteti për operatorët mobil. Investimet në asetet bazë janë rreth dy herë më të larta për pajisjet 5G në krahasim me 4G, dhe përveç kësaj, konsumi i energjisë është midis dy dhe tre herë më i lartë. Nga ana tjetër, është pikëpyetje se sa janë përdoruesit të gatshëm të paguajnë më shumë për të pasur 5G.

Rrjeti 5G ofron shpejtësi jashtëzakonisht të larta, duke mundësuar aplikime të ndryshme në kohë reale të cilat nuk ishin më parë të mundshme, në mjekësi, argëtim dhe fusha të tjera. Gjithashtu, vonesat dukshëm më të ulëta të sinjalit do të mundësojnë zhvillimin e automjeteve autonome me komunikim të ndërsjellë për t’i parandaluar përplasjet dhe për ta përmirësuar rrjedhën e trafikut. Komunikimi pa tel mund të bëhet dukshëm më prezent në të gjitha segmentet, madje edhe atje ku mungon sot.

Por, a do të paguajnë njerëzit më shumë për 5G? Me siguri jo, të paktën jo për shërbimet që ata i përdorin aktualisht. Përdoruesit janë të gatshëm të paguajnë për më shumë të dhëna ose shpejtësi më të madhe, por me siguri jo aq shumë sa t’i mbulojnë kostot e larta të investimeve, siç janë p.sh. 100 miliardë dollarë të investuara nga Verizon. Në vend të kësaj, ata ka më shumë të ngjarë të jenë të gatshëm të abonohen në shërbimet e reja, siç janë shërbimet e lartpërmendura automobilistike dhe mjekësore. Pra, jo për shpejtësi ose shumë të dhëna, por për diçka plotësisht të re që nuk ishte në dispozicion deri tani.

Tani për tani, na mbetet që për fillim ta përcjellim zhvillimin e 5G në Kinë dhe të shohim se si do të zhvillohen gjërat atje. Sipas Credit Suisse, infrastruktura do të jetë e gatshme gjatë vitit 2020 për një test të vërtetë në kushte reale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme