ARC prezanton motoçikletën elektrike mbi 100 mijë dollarëshe

Prishtinë | 03 Dhj 2018 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Kompania ARC me qendër në Britani prezantoi në Milano modelin e parë të një motoçiklete që është përshkruar si e shpejtë, e avancuar dhe e kushtueshme. E quajtur Vector, motoçikleta kushton më shumë se 100 mijë dollarë, ndërsa kompania arsyeton çmimin e lartë.

Prodhuesit e motoçikletës së kushtueshme elektrike thonë se është teknologjikisht më e avancuara në treg. Themeluesi i kompanisë ARC, Mark Truman shpjegon arsyen.

“Është më e sigurta, më miqësorja me mjedisin, më e qëndrueshmja. Ka ritmin e një super-motoçiklete”, ka thënë Truman.

E ndërtuar me dorë në qytetin Conventry të Anglisë ku gjendet selia e kompanisë, motoçikleta me pamje futuristike ka një strukturë të lehtë të ndërtuar me përbërës karboni.

“Është shumë e lehtë, rreth 220 kilogramë. Është mjaft e fuqishme. Po ta ngasësh për qejf bën mbi 300 kilometra me një mbushje të baterisë që zgjat 45 minuta. Pra ka thyer rekord për automjetet elektrike”, tha Gibbon.

Kompania ARC është mbështetur financiarisht nga gjiganti Jaguar Land Rover.

“Kemi pasur investime të mira nga kompania si Jaguar Land Rover që do të na shërbejë për një plan disa vjeçar për të çuar përpara ARC gjatë viteve në vazhdim”, thotë themeluesi i kompanisë Mark Truman.

Teknologjia e fundit me sensorë dhe kontrollues është e montuar në xhaketën inteligjente të drejtuesit të motoçikletës e cila e informon atë për kushte të rrezikshme dhe të dhëna të tjera. Sebastian Peck është me Fondin e Investimeve Kapitale Jaguar Land Rover.

“Më pëlqen koncepti me kostumin inteligjent që komunikon me drejtuesin. Shijon një eufori që bën të ngrihen flokët përpjetë kur e nget këtë motoçikletë”, shtoi ai.

Helmeta ka tre aranzhime, mes tyre edhe “Butonin Euforik” me të cilën drejtuesi mund të lëshojë muzikë përmes xhaketës inteligjente e cila mundëson edhe pamjen pas falë kamerës.

Kompania ka në plan të prodhojë 400 motoçikleta në vitin e parë të daljes në treg.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme