Arrijnë tre versionet e reja të LG G7, këto janë specifikat e tyre

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 09:34 | Nga

IFA, panairi i teknologjisë që mbahet në Berlin, është duke filluar dhe kompanitë tashmë kanë filluar të paralajmërojnë për pajisjet e tyre që do t’i zbulojnë në këtë ngjarje.

Kështu, kompania e njohur LG ka prezantuar sot dy versione të reja të modelit G7, LG G7 One dhe LG G7 Fit, transmeton Koha.net.

Smartfoni i parë vjen me procesor Snapdragon 835 si pjesë e programit Android One, ndërsa i dyti ka një procesor dhe ndoshta një çmim më të përballueshëm.

LG G7 One

LG G7 One është telefoni i parë nga seria G me procesor Snapdragon 835 që kur është lansuar LG G6 me procesor më të vjetër Snapdragon 821, ndërsa LG G7 ThinQ ka ardhur me Snapdragon 845.

Image
Ky smartfon i ri, po ashtu, vjen me ekran 6.1-inç QHD+ FullVision dhe raport prej 19.5:9, skanerin për gishta të vendosur në pjesën e pasme, 4 GB RAM memorie dhe 32 GB memorie të brendshme me mundësi zgjerimi përmes kartelës microSD deri në 512 GB, kamerën kryesore prej 16 megapikselë dhe atë të përparme prej 8 megapikselë.

Gjithashtu, G7 One pasi është pjesë e programit Android One do të punojë me sistemin operativ Android Oreo 8.1 dhe së shpejti pritet të përditësohet në Android Pie 9, si dhe do të ketë baterinë prej 3,000 mAh e cila ofron mbështetje për teknologjinë për karikim të shpejtë – Quick Charge 3.0. Po ashtu, LG G7 është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit.

LG G7 Fit

G7 Fit vjen me procesor Snapdragon 821 dhe ekran të njëjtë sikurse të ThinQ dhe versioneve One, së bashku me veçoritë tjera premium, si dhe me 4 GB RAM memorie dhe 32 GB memorie të brendshme, përcjell Koha.net. Po ashtu, G7 Fit vjen edhe në një version tjetër, G7 Fit+ për disa tregje, i cili ka 64 GB memorie të brendshme, dhe të dy versionet e G7 Fit kanë portin për kartelën microSD. Kompania thotë se memorie e brendshme mund të zgjerohet deri në 2 TB, por kjo njëherë është vetëm në teori sepse në realitet ende nuk ka microSD më e madhe se 512 GB në treg.

Gjithashtu, edhe G7 Fit është rezistent ndaj ujit dhe pluhurit si dhe punon me baterinë prej 3,000 mAh dhe sistemin operativ Android Oreo 8.1 i cili së shpejti do të përditësohet në Android Pie, transmeton Koha.net.

Image
Të gjitha këta smartfonë të rinj kanë dimensionet e njëjta sikurse të modelit tashmë të njohur, LG G7 ThinQ. LG G7 One do të arrijë me ngjyrë të kaltër “New Moroccan” dhe të zezë “New Aurora”, ndërsa LG G7 Fit do të jetë në dispozicion me ngjyrë të zezë “New Aurora” dhe gri “New Platinum”.

Çfarë ende nuk dihet, është çmimi i tyre dhe se kur do të jenë në dispozicion për shitje.

Të ngjashme